Analistët e RTK-së parashikojnë superfinale mes PSG-së dhe Arsenalit
BKT
Sport

Analistët e RTK-së parashikojnë superfinale mes PSG-së dhe Arsenalit

F.B/RTKLive

Më pak se dy orë kanë mbetur deri në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, ku në Budapest do të përballen Paris Saint-Germain dhe Arsenali, në një duel që pritet të dhurojë emocione të mëdha për tifozët e futbollit.

Kryeqyteti i Hungarisë do të jetë skena e sfidës mes kampionit në fuqi të Evropës dhe skuadrës londineze, e cila synon të shkruajë historinë duke e fituar për herë të parë trofeun më prestigjioz për klube në kontinent.

Në emisionin special të RTK-së kushtuar finales, analistët Rafet Prekazi, Jusuf Tortoshi, Arbnor Morina dhe Muhamet Dragusha vlerësuan se përballja mes PSG-së dhe Arsenalit ka të gjitha elementet për të qenë një superndeshje.

Trajneri Rafet Prekazi beson se skuadra franceze ka mundësinë ta mbrojë titullin evropian.

“Mendoj se PSG e ka rastin për të dytën herë të fitojë Chapmionsin. Parsi e ka kualitetin dhe e ka rastin historik për ta fituar për të dytën herë radhazi këtë trofe”, ka thënë Prekazi.

Nga ana tjetër, Jusuf Tortoshi e cilësoi finalen si një moment historik për Arsenalin, duke theksuar se në ndeshje të tilla nuk ka favoritë.

“Për Arsenalin është një ndeshje historike. 22 vite s’ka qenë kampion në Premierligë. Ai sindromi thirret Arsen Wenger, i cili më shumë ishte orientuar në shitjen e lojtarëve, ndërsa tash Arteta e ndërrojë sistemin, e ndërrojë edhe nivelin e lojtarëve dhe erdhën tek suksesi. Në finale nuk ka favorit, por nëse shikohen ndeshjet me meritë janë të dy skuadrat në finale. PSG e ka një lojë perfekt, por finalja është finale dhe mendoj se Arsenali do të bëjë një surprize pas 22 vitesh”, ka theksuar Tortoshi.

Edhe Arbnor Morina pret një finale të fortë dhe me nivel të lartë futbolli, ndonëse sheh PSG-në me një avantazh të lehtë.

“Këtu janë dy ekipe të cilat që dy tre vite janë ndërtuar për të qenë në krye të futbollit evropian. Taktikat e të cilit do të fitojë gjatë lojës. Për motiv nuk çka të flitet sepse s’ka motiv më të madh së të luadh në një finale të tillë. Mendoj se të dy skuadrat do të tregojnë një lojë të bukur. Të dy skuadra do të provojnë që të gjejnë gabimet eventuale të njerës apo tjetër skuadër. Mendoj se Parisi ka një përparësi të vogël”, ka pohuar Morina.

Ndërkohë, Muhamet Dragusha është i bindur se finalja e këtij edicioni mund të jetë edhe më spektakolare se ato të viteve të fundit.

“Rrugëtimet e tyre neper ligat e tyre kanë përfunduar me tituj kampion për të dyjat, sidomos sukses i madh për Arsenalin që pas 22 vitesh arrin titullin në Premierligë, ndërsa PSG dominoi ligën franceze dhe fitojë sërish titullin e kampionit. Sigurisht se PSG edhe në Champions ka treguar lojëra të mira, e ka mposhtur një gjigant siç është Bayern Munich, derisa Arsenal e ka mbyll fazën e grupeve me tetë ndeshje, tetë fitore, duke mundur kundërshtar të fortë. Dy skuadra që sonte kemi kënaqësinë t’i shohim dhe do të shohim një ndeshje të bukur, madje, mendoj se kjo finale do të sjellë një ndeshje edhe më të bukur sesa finalet e kaluar, sepse kemi të bëjmë më dy skuadra që luajnë futboll të bukur dhe shpresoj se do ta shohim një ndeshje të jashtëzakonshme”, ka përfunduar Dragusha.

Finalja mes PSG-së dhe Arsenalit nis në orën 18:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.