KQZ ka numëruar mbi 58 % të votave me postë, LVV-ja arrin në 52 mandate
BKT
Foto arkiv
Lajme

KQZ ka numëruar mbi 58 % të votave me postë, LVV-ja arrin në 52 mandate

M.Sh/RTKLive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të martën në mëngjes janë numëruar 131 nga 223 kuti të votimit me postë, apo 58.74 për qind e totalit, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, procesi i vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime është përmbyllur, ku janë aprovuar 82,809 pako, ndërsa 2,981 janë refuzuar. Votat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete dhe në Kosovë.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 45.95 për qind të votave, duke siguruar 52 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 19.93 për qind dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka 17.02 për qind dhe 19 mandate. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.88 për qind të votave dhe 7 ulëse parlamentare.

Megjithatë, rezultati përfundimtar ende nuk është mbyllur, pasi kanë mbetur pa u numëruar rreth 35 mijë vota me postë, si dhe afro 11 mijë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave të deritanishme, LVV-ja ka përmirësuar dukshëm rezultatin krahasuar me fazën preliminare të numërimit dhe mbetet në garë për të siguruar edhe një mandat shtesë, varësisht nga trendi i votave që kanë mbetur për t’u numëruar.


MË SHUME NGA Lajme