Drita zyrtarizon transferimin e belgut William Baeten
BKT
Sport

Drita zyrtarizon transferimin e belgut William Baeten

F.B/RTKLive

FC Drita ka prezantuar përforcimin e radhës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit ofensiv belg William Baeten.

Klubi gjilanas njoftoi se Baeten i është bashkuar skuadrës në fazën përgatitore që po zhvillohet në Bansko, duke u bërë pjesë e projektit të Dritës për edicionin e ardhshëm.

Futbollisti belg vjen nga Flamurtari Vlorë, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për klubet e njohura rumune FCSB dhe Universitatea Craiova.

Drejtuesit e Dritës besojnë se përvoja dhe cilësitë e Baeten në repartin ofensiv do t’i japin më shumë kreativitet dhe forcë skuadrës në ndeshjet e kampionatit dhe në garat evropiane.

“William Baeten bardh e kaltër. Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se futbollisti William Baeten është përforcimi ynë i radhës, i cili i bashkohet ekipit për fazën përgatitore në Bansko”, thuhet në njoftimin e klubit.

Me afrimin e Baeten, Drita vazhdon të përforcojë skuadrën para nisjes së sezonit të ri, duke synuar të mbetet një nga pretendentet kryesore për trofetë në futbollin kosovar.