Pena transferohet nga Barcelona te Panathinaikos
Uran Krasniqi / RTKLive
Portieri spanjoll Inaki Pena do të largohet nga Barcelona dhe karrierën do ta vazhdojë te skuadra greke Panathinaikos.
Klubi katalanas ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për transferimin e portierit njëzet e shtatë vjeçar, i cili sezonin e fundit ishte i huazuar te Elche.
Pena i ishte bashkuar akademisë së Barcelonës në vitin 2012, ndërsa debutimin me ekipin e parë e kishte bërë në vitin 2023, pas një periudhe huazimi te Galatasaray.
Gjatë kohës së tij me fanellën e Barcelonës, ai ka zhvilluar njëzet e tetë ndeshje në La Liga dhe ka regjistruar dhjetë ndeshje pa pranuar gol.
Në vitin 2024, pas lëndimit afatgjatë të portierit të parë Marc-André ter Stegen, trajneri Hansi Flick i kishte besuar rolin e titullarit dhe ai kishte arritur të tregojë vlerat e tij.
Te Elche, Pena kishte luajtur gjashtëmbëdhjetë ndeshje në kampionat dhe e kishte mbajtur portën të paprekur në katër raste.
Barcelona e ka falënderuar portierin spanjoll për përkushtimin dhe profesionalizmin gjatë viteve të kaluara në klub, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.























