Llapi emëron Besar Musollin drejtor sportiv
Uran Krasniqi / RTKLive
Klubi i Llapit ka bërë të ditur se ish-futbollisti i saj, Besar Musolli, do të vazhdojë angazhimin në strukturat e klubit, pasi është emëruar zyrtarisht drejtor sportiv.
Sipas një komunikate nga klubi i Podujevës, duke marrë parasysh eksperiencën e tij shumëvjeçare në futboll, profesionalizmin e treguar gjatë gjithë karrierës, si dhe njohjen e jashtëzakonshme të ambientit të klubit, drejtuesit e klubit i kanë besuar Musollit një rol tejet të rëndësishëm në strukturën sportive të klubit.
Musolli ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit gjatë tri viteve të fundit dhe njeh në detaje filozofinë dhe objektivat e klubit tonë. Tashmë, në rolin e ri si Drejtor Sportiv, ai ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për kompletimin e skuadrës, duke punuar ngushtë me shtabin teknik në afrimin e futbollistëve cilësorë dhe përgatitjen sa më të mirë të ekipit për sezonin e ri", ka theksuar Llapi.























