Reali synon Olisen, Bayerni përgatit kontratë të re
BKT
Sport

Reali synon Olisen, Bayerni përgatit kontratë të re

F.B/RTKLive

E ardhmja e Michael Olise te Bayern Munich vazhdon të jetë objekt spekulimesh gjatë afatit kalimtar të verës, me Real Madridin që raportohet se po shqyrton mundësinë e transferimit të yllit francez.

24-vjeçari ka qenë një nga futbollistët më të spikatur të kampionëve të Gjermanisë, duke regjistruar 42 gola dhe 54 asistime në 107 paraqitje. Forma e tij e mirë vazhdoi edhe në Kupën e Botës 2026, ku ishte një nga lojtarët kryesorë të Francës në rrugëtimin deri në gjysmëfinale.

Sipas “Daily Mail” dhe ‘L'Equipe’, Olise është i interesuar për një kalim te Real Madridi dhe beson se ky është momenti ideal në karrierën e tij për të bërë hapin drejt La Ligas.

Megjithatë, burime të “Sky Sports” hedhin poshtë zërat për një largim të afërt, duke raportuar se francezi nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për transferim dhe mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Bayernit për sezonin e ri.

Kontrata aktuale e Olises me klubin bavarez është e vlefshme edhe për tri vite të tjera, ndërsa drejtuesit e Bayernit nuk kanë ndërmend ta shesin lojtarin.

Madje, sipas “The Standard”, kampionët e Gjermanisë synojnë t'i ofrojnë sulmuesit një kontratë të re në muajt e ardhshëm, si një sinjal i qartë se e konsiderojnë pjesë kyçe të projektit të klubit.

Për momentin, mbetet të shihet nëse Real Madridi do të bëjë një ofertë zyrtare, ndërsa saga e së ardhmes së Michael Olise pritet të jetë një nga temat më të nxehta të afatit kalimtar të kësaj verë.