Malisheva përballet me Hibernian, ndeshja transmetohet në RTK
Sh.Çoçaj/RTKlive
FC Malisheva sot do të përballet me skuadrën e njohur skoceze, Hibernian FC, në kuadër të turit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 16:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Pas kualifikimit historik në raundin e parë, FC Malisheva synon të vazhdojë me paraqitje të denjë në skenën evropiane, duke treguar forcën, karakterin dhe përkushtimin e saj përballë një kundërshtari me traditë nga futbolli skocez.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u ka bërë thirrje qytetarëve, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit në Kosovë që të mbështesin FC Malishevën në ndeshjen e rëndësishme ndaj Hibernian FC, e vlefshme për fazën play-off të UEFA Conference League.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Malishevës, tifozët tanë dhe dashamirët e futbollit nga mbarë Kosova që të jenë pranë ekipit tonë në këtë sfidë të madhe evropiane”, theksoi kryetari i Malishevës.























