Sot mot me diell dhe temperatura deri në 33 gradë
BKT
Lajme

Sot mot me diell dhe temperatura deri në 33 gradë

B.H/RTKlive

Në vendin tonë sot do të mbizotërojë mot kryesisht me diell dhe stabil, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje graduale, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 27 deri në 33 gradë Celsius.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor dhe perëndimor, me shpejtësi 1 deri në 6 metra në sekondë.

Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike gjatë ditës do të jenë kryesisht të favorshme. Megjithatë, nga dita e enjte dhe e premte, për shkak të rritjes së temperaturave, pritet ngarkesë më e madhe termike, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell dhe të konsumojnë mjaftueshëm lëngje.

Edhe indeksi UV do të jetë shumë i lartë gjatë ditëve me kthjellime, ndaj këshillohet përdorimi i kremrave mbrojtës dhe shmangia e qëndrimit në diell nga ora 11:00 deri në 16:00.

Në aspektin agrometeorologjik, rritja e temperaturave do të shtojë nevojën për ujitje të kulturave bujqësore, sidomos të misrit, perimeve dhe pemishteve. Fermerëve u rekomandohet që ujitjen ta kryejnë gjatë orëve më të freskëta të ditës, kryesisht në mëngjes.


MË SHUME NGA Lajme