Ndërron jetë DJ francez Kavinsky, ikona e muzikës elektronike
N.M. /RTKlive
DJ dhe muzikanti i njohur francez i muzikës elektronike, Kavinsky, ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare, pasi u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Paris.
Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Vincent Belorgey, u bë i njohur në mbarë botën me këngën “Nightcall” të vitit 2010, e cila u përdor në skenat hyrëse të filmit të njohur “Drive”, me aktorin Ryan Gosling, raporton BBC.
Kënga përjetoi një rikthim të fuqishëm së fundmi, pasi u performua në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, duke u bërë edhe kënga më e kërkuar në aplikacionin Shazam brenda një dite.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, reagoi përmes rrjeteve sociale duke e cilësuar Kavinskyn si “një burim krenarie për Francën përgjithmonë”. Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Catherine Pégard, tha se vendi ka humbur “një nga zërat më unikë”, duke shtuar se muzika e tij do të vazhdojë të tejkalojë brezat dhe kufijtë.
Sipas raportimeve të Reuters dhe mediave franceze, Zyra e Prokurorit në Paris ka konfirmuar se artisti u gjet i vdekur në banesën e tij në kryeqytet.
Gazeta franceze Le Figaro raportoi se Kavinsky kishte disa ditë që ankohej për dhimbje koke dhe dyshohet se mund të ketë pësuar goditje në tru. Autoritetet nuk kanë gjetur elemente të dyshimta në vendngjarje, ndërsa është hapur hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Belorgey, i lindur në Seine-Saint-Denis, e nisi karrierën në fillim të viteve 2000, duke performuar edhe si artist hapës për grupin legjendar Daft Punk. Ai ishte pjesë e valës së dytë të artistëve të stilit “French Touch”, së bashku me emra si Justice dhe Sebastian.
“Nightcall” u prodhua në bashkëpunim me Guy-Manuel de Homem-Christo nga Daft Punk, ndërsa në versionin origjinal vokalet u interpretuan nga këngëtarja braziliane Lovefoxxx. Në performancën e Paris 2024, kënga u interpretua nga këngëtarja belge Angèle, së bashku me Kavinskyn dhe grupin francez Phoenix.























