Jakupi e Isufi në finalen e turneut ndërkombëtar në Sarajevë
F.B/RTKLive
Kosova do të përfaqësohet me dy finalistë në Turneun Ndërkombëtar të Boksit “Mustafa Hajrulahovic – Talijan”, që po zhvillohet në Sarajevë nga 28 korriku deri më 1 gusht.
Në ndeshjet gjysmëfinale, gjashtë boksierë kosovarë u ngjitën në ring, ndërsa Taulant Jakupi dhe Riad Isufi arritën të sigurojnë kualifikimin në finale pas paraqitjeve bindëse.
Taulant Jakupi, në kategorinë deri në 85 kilogramë, triumfoi me rezultat unanim 5:0 ndaj algjerianit Muhamed Maoui. Në finalen e së premtes, ai do të përballet me boksierin shqiptar Useid Nika, në një duel që pritet të zgjojë interes të madh.
Po aq bindës ishte edhe Riad Isufi në kategorinë deri në 55 kilogramë. Ai mposhti me rezultat unanim 5:0 ukrainasin Vladyslav Lystysin dhe siguroi një vend në finale, ku do të ketë përballë italianin Tommaso Orlando.
Ndërkohë, katër boksierët e tjerë të Kosovës u ndalën në gjysmëfinale. Bashkim Bajoku (55 kg) u mposht nga algjeriani Amine Zenaz, Erdi Aliu (65 kg) u mund nga ukrainasi Rostislav Horodinskyi, Ensar Badallaj (70 kg) humbi ndaj Oleksandr Kravchenkos, ndërsa Flori Tarani (75 kg) u eliminua nga Kyryl Bondarenko i Ukrainës.
Pas përfundimit të gjysmëfinaleve, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci, vlerësoi paraqitjet e boksierëve, duke u shprehur i kënauqr për nivelin e treguar dhe angazhimin e tyre në një turne me konkurrencë të fortë ndërkombëtare.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar po kontribuon edhe gjyqtari kosovar me stemën ndërkombëtare, Latif Demolli, i cili është pjesë e trupës së arbitrave të turneut.
Finalet e turneut “Mustafa Hajrulahovic – Talijan” do të zhvillohen të premten, më 31 korrik, duke nisur nga ora 12:00, ku Kosova do të synojë medaljet e arta përmes Taulant Jakupit dhe Riad Isufit.
























