Kuvendi hap dyert për mërgatën, rriten vizitat e bashkatdhetarëve|Video
BKT
Lajme

Kuvendi hap dyert për mërgatën, rriten vizitat e bashkatdhetarëve|Video

K. Kasumi / RTKlive

Kuvendi i Republikës së Kosovës hap dyert për bashkatdhetarët që ndodhen në Kosovë gjatë muajve të verës. Aktiviteti, tashmë tradicional, do të zhvillohet për tri ditë, nga sot deri të mërkurën, më 12 gusht, nga ora 12:00 deri në 16:00. Qëllimi i këtij aktiviteti është t’u mundësojë mërgimtarëve të njihen nga afër me punën, funksionimin dhe rolin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, këshilltarja politike e kryetares së Kuvendit, Nazlie Bala, tha se gjatë këtyre ditëve bashkatdhetarët do të kenë mundësi të vizitojnë ambientet e Kuvendit, përfshirë sallën e seancave plenare, si dhe të takojnë deputetë e përfaqësues të tjerë të institucionit.

“Është bërë e përvitshme hapja e dyerve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për bashkatdhetarët tanë, të cilët do të kenë mundësi të njihen nga afër me punën e Kuvendit dhe ambientin ku zhvillohet veprimtaria e tij”, tha Bala.

Sipas saj, një nga qëllimet kryesore të këtij aktiviteti është forcimi i lidhjes së drejtpërdrejtë të mërgatës me institucionet e Kosovës dhe njohja më nga afër me mënyrën se si funksionon legjislativi.

Bala theksoi se kontributi i mërgatës ndër vite është i pazëvendësueshëm dhe se institucionet kanë përgjegjësi që t’u krijojnë bashkatdhetarëve mundësi për t’u informuar dhe për të bashkëbiseduar drejtpërdrejt me përfaqësuesit e tyre.

Ajo bëri me dije se në kuadër të aktiviteteve të verës, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe gjeneratës së re të mërgatës, përfshirë fëmijët e bashkatdhetarëve.

Tutje ajo tregoi se për vizitorët është përcaktuar një orar i veçantë gjatë tri ditëve, ndërsa për hyrje në ambientet e Kuvendit kërkohet dokument identifikues. Bala siguroi se Kuvendi është i hapur për të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që duan të njihen nga afër me punën e institucionit.

Këshilltarja politike e kryetares së Kuvendit tha gjithashtu se interesimi i mërgimtarëve për ta vizituar Kuvendin është rritur nga viti në vit.

“Çdo herë rritet numri i bashkatdhetarëve tanë për të vizituar ambientet e Kuvendit. Kjo na bën edhe më të lumtur dhe më të sigurt, sepse qytetari është pushteti i pestë, i cili e monitoron Kuvendin dhe është i interesuar për punën dhe funksionimin e institucioneve të vendit”,  theksoi Bala.


MË SHUME NGA Lajme