Përmbysje fantastike, Dinamo kalon në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës
F.Bytyqi/RTKLive
Dinamo e Tiranës ka dhuruar një tjetër paraqitje të madhe në arenën evropiane, duke mposhtur 4-0 Audën e Letonisë dhe duke përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë.
Skuadra e Ilir Dajës ishte bindëse në transfertë dhe me fitoren e thellë siguroi kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-1, duke kaluar për herë të dytë në historinë e klubit në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës.
Dinamo e nisi takimin me intensitet të lartë dhe pas disa tentimeve arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 36-të. Qardaku lëshoi një goditje të fuqishme nga hyrja e zonës, duke e dërguar topin në cepin e portës.
Skuadra shqiptare nuk u mjaftua me kaq dhe në fundin e pjesës së parë gjeti edhe golin e dytë. Në minutën e 45-të, Qefalia realizoi pas një aksioni të bukur të kombinuar me Qardakun, duke e dërguar Dinamon në pushim me avantazhin 2-0.
Edhe në pjesën e dytë, “Nëndetësja” vazhdoi të luante me të njëjtin ritëm. Në minutën e 51-të, një kundërsulm i shpejtë u finalizua nga Ayodeji, i cili shënoi për 3-0 dhe e afroi ndjeshëm Dinamon me kualifikimin.
Fitorja u vulos në minutën e 79-të, kur Fadairo realizoi golin e katërt, duke i dhënë fund çdo dileme për ekipin që do të vazhdonte garën.
Me këtë sukses, Dinamo e Tiranës siguron për herë të dytë në histori një vend në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës. Në fazën e ardhshme, skuadra shqiptare do të përballet me Pafosin e Qipros, me synimin për të bërë një tjetër hap drejt fazës së ligës.
Dinamo vazhdon kështu aventurën evropiane, pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme ndaj Audës.























