Van Dijk: Te Liverpool ka lindur një mbrojtje e re
E.H./RTKlive
Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka vlerësuar përforcimet e skuadrës gjatë afatit kalimtar veror, duke shprehur optimizëm për ndërtimin e një mbrojtjeje të re.
Mbrojtësi holandez ka veçuar paraqitjet e Jacquet dhe Ronald Araujo, të cilët patën mundësi të luajnë nga 45 minuta në ndeshjen e fundit parasezonale ndaj Comos.
Jacquet tërhoqi vëmendjen duke shënuar golin e dytë të Liverpoolit, ndërsa Araujo e zëvendësoi atë në pjesën e dytë.
Van Dijk ka pranuar se krijimi i një partneriteti të qëndrueshëm në qendër të mbrojtjes kërkon kohë dhe përvojë të përbashkët në ndeshje.
“Jacquet bëri mirë, njësoj si Ronald. Është një fillim i mirë, kështu që shpresojmë që ai të mund të vazhdojë. Ndërtohen marrëdhënie duke luajtur ndeshje, pasi ndeshjet janë krejtësisht të ndryshme nga stërvitja”, tha Van Dijk.
Ai theksoi se lojtarët duhet të krijojnë një lidhje të fortë mes tyre për të reaguar si duhet në situata të ndryshme gjatë ndeshjeve.
“Mund të shohim dhe të nuhasim disa momente se si të mbrohemi në situata të caktuara. Por është mjaft e qartë se duhet të krijosh një lidhje së bashku dhe kjo kërkon pak kohë”, shtoi mbrojtësi holandez.
Van Dijk gjithashtu foli për sfidën e radhës ndaj Newcastle, duke e cilësuar atë si një ndeshje të vështirë.
“Tani do të punojmë për ndeshjen ndaj Newcastle, që si gjithnjë do të jetë e vështirë”, deklaroi kapiteni i Liverpoolit.
Sa i përket mënyrës së lojës, Van Dijk tha se skuadra duhet të jetë kompakte dhe të zgjedhë momentin e duhur për të ushtruar presion.
“Sot, asnjë ekip në futbollin botëror nuk mund të luajë me intensitet të plotë për 90 minuta. Varet nga ne të sigurohemi që jemi kompaktë dhe të gjejmë momentin e duhur për të bërë presion përsëri”, përfundoi Van Dijk.























