Alonso paralajmëron Arbeloan: Në fushë nuk ka miqësi, vetëm rivalitet
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Trajneri i Chelsea, Xabi Alonso, ka folur për marrëdhënien e tij me Alvaro Arbeloan para përballjes së parë të sezonit ndaj Fulhamit në Premier League.
Chelsea do ta nisë kampionatin të hënën mbrëma në “Craven Cottage”, ndërsa përballë do të ketë Fulhamin e drejtuar nga Arbeloa, me të cilin Alonso ka ndarë dhomën e zhveshjes te Real Madridi dhe Kombëtarja e Spanjës.
Dy ish-bashkëlojtarët tashmë do të përballen si trajnerë kundërshtarë, ndërsa Alonso bëri të qartë se miqësia do të lihet mënjanë sapo të nisë ndeshja.
“Është e mundur të kesh një marrëdhënie të mirë, por sapo të jemi në fushë, nuk ka miqësi dhe nuk ka të kaluar. Do të luftojmë për 90 minuta”, deklaroi Alonso.
Trajneri i Chelsea theksoi se mentaliteti dhe konkurrenca do të jenë vendimtare në një sezon të gjatë, duke kërkuar nga skuadra e tij të jetë e gatshme për çdo vështirësi.
“Futbolli ka të bëjë me mentalitetin, konkurrencën dhe aftësinë për të kaluar momentet e vështira gjatë ndeshjes. Kjo është shumë e rëndësishme. Të hënën do të kemi një betejë të bukur”, u shpreh spanjolli.
Alonso, i cili mori drejtimin e Chelsea pas shkarkimit të Liam Rosenior, synon ta rikthejë skuadrën londineze në nivelet më të larta, pasi sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 10-të.
“Ambicia është të shkojmë sa më lart që të jetë e mundur. Do ta shohim se ku do të jemi në maj. Na duhet uria për të bërë mirë dhe për të krijuar një frymë të mirë brenda skuadrës”, tha ai.
Trajneri i Chelsea beson se skuadra është gati për sfidën e parë të sezonit pas një faze të plotë përgatitore.
“Ne ndihemi gati. Jemi përgatitur gjatë gjithë fazës përgatitore. Dëshira, ambicia dhe uria për të nisur sezonin tashmë janë të pranishme në skuadër”, përfundoi Alonso.























