Gjithçka gati për ceremoninë hapëse ‘Taranto 2026’
BKT
Sport

Gjithçka gati për ceremoninë hapëse ‘Taranto 2026’

F.Bytyqi/RTKLive

Taranto është gati të presë ceremoninë hapëse të edicionit të 20-të të Lojërave Mesdhetare, e cila do të zhvillohet të premten mbrëma në stadiumin “Iacovone”.

Ceremonia do të shënojë nisjen zyrtare të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, të cilat do të zhvillohen deri më 3 shtator. Në këtë edicion do të marrin pjesë 26 shtete, rreth 3,803 sportistë dhe garat do të zhvillohen në 33 sporte.

Stadiumi i rinovuar “Iacovone” pritet të jetë i mbushur plot për ceremoninë hapëse, ndërsa ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, do të mbajë fjalimin zyrtar të hapjes së Lojërave. Në tribunë, përkrah kreut të shtetit, pritet të jenë edhe kryeministrja Giorgia Meloni, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë institucionalë.

Gjatë ceremonisë do të mbajnë fjalime edhe Massimo Ferrarese, president i Komitetit Organizativ “Taranto 2026”, dhe Mehrez Boussayene, president i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Ceremonia do të shënojë gjithashtu hyrjen zyrtare të delegacioneve pjesëmarrëse.

Në Itali, Kosovën do ta përfaqësojnë 163 me sportistë, 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte. Për herë të parë Kosova paraqitet edhe në katër sporte ekipore: futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për sportin e vendit.

Një ceremoni e lidhur me historinë e Tarantos

Ceremonia hapëse është konceptuar dhe organizuar nga G2 Eventi – Gruppo Casta Diva, me Francesco Paolo Conticello si drejtor kreativ dhe Angelo Bonello si drejtor artistik.

Boshti kryesor i ceremonisë do të jetë e ardhmja e treguar përmes syve të një djali nga Taranto. Historia do të ndërthurë të kaluarën e qytetit, detin, delfinët, sportistët e Magna Graecia-s dhe vlerat e sportit, duke u mbështetur në moton e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”: “Embrace the Future – Abbracciamo il Futuro”.

Në pjesën artistike do të performojnë Serena Brancale, Mietta dhe Al Bano, ndërsa himnin kombëtar të Italisë do ta interpretojë i riu Simone Grande, fitues i “The Voice Kids”.

Koreografia e ceremonisë është realizuar nga Thomas Signorelli dhe ekipi i tij.

Ceremonia do të hapë zyrtarisht dy javë të mbushura me gara sportive dhe aktivitete që do të bashkojnë shtetet e brigjeve të ndryshme të Mesdheut.

Lojërat Mesdhetare rikthehen në Pulia pas edicionit të vitit 1997 në Bari. “Taranto 2026” është edicioni i katërt i organizuar në Itali dhe i dyti në rajonin e Pulias.

Masat për qarkullimin dhe transportin

Për shkak të kufizimeve në trafik dhe parkim, organizatorët dhe Komuna e Tarantos u kanë bërë thirrje spektatorëve që të planifikojnë udhëtimin paraprakisht dhe të shmangin përdorimin e automjeteve private.

Për të lehtësuar qarkullimin dhe hyrjen e sigurt të tifozëve në stadium, është paraparë përdorimi i sistemit Park&Ride dhe autobusëve të dedikuar të Kyma Mobilità.

Autobusët do të nisen nga parkingjet pranë spitalit San Cataldo, Cimino, Bernardini, SS106 dhe Democrate. Shërbimi do të funksionojë nga ora 08:00, me nisje çdo 20 minuta, deri në largimin e të gjithë spektatorëve pas përfundimit të ceremonisë.

Personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre do të hyjnë përmes North Check Point, për të pasur qasje në tribunën lindore. Për ta janë paraparë edhe dy zona të dedikuara parkimi.

Hyrjet dhe sektorët e stadiumit

Stadiumi “Iacovone” do të ketë dy pika të veçanta hyrjeje: North Check Point dhe South Check Point. Secila prej tyre mundëson qasje vetëm në sektorët përkatës të stadiumit.

Spektatorët duhet të kontrollojnë sektorin e shënuar në biletë dhe të drejtohen menjëherë te pika përkatëse e kontrollit.

North Check Point: Curva Nord, Tribuna Est dhe pjesa veriore e Tribuna Ovest.

South Check Point: Curva Sud, përfshirë Curva Sud – Aëay, si dhe pjesa jugore e Tribuna Ovest.

Edhe vendet në stadium ndryshojnë sipas tribunës. Në katin e parë, vendet janë të rezervuara dhe duhet të respektohet numri i shënuar në biletë, ndërsa në katin e dytë vendet nuk janë të rezervuara.

Fëmijët deri në moshën katërvjeçare, të shoqëruar nga prindërit, do të kenë hyrje falas, por duhet të qëndrojnë në prehërin e prindit ose shoqëruesit.