Dinamo ndalet në ‘Elbasan Arena’, gjithçka e hapur për duelin kthyes
F.B/RTKLive
Dinamo City dhe Pafosi janë ndarë në barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it për Ligën e Konferencës.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndonëse skuadra qipriote pati mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. Në minutën e 37-të, Pafosi fitoi një penallti, por David Luiz nuk arriti ta shndërronte në gol, duke e dërguar topin jashtë portës.
Pas pushimit, ndeshja u bë edhe më interesante, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e avantazhit.
Dinamo arriti të kalojë në epërsi me Fadairon, duke ndezur atmosferën në “Elbasan Arena”. Megjithatë, avantazhi i vendasve nuk zgjati shumë.
Pafosi fitoi një tjetër penallti dhe këtë herë qipriotët arritën ta konkretizojnë, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në vazhdim, asnjëra skuadër nuk arriti të gjejë golin e fitores dhe takimi përfundoi me rezultatin 1-1.
Kështu, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Qipro. Dinamo do të kërkojë një paraqitje të madhe në udhëtim për të siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme të garës.























