Shpati Zekaj fiton medaljen e bronztë, Kosova shkon në gjashtë medalje
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 17:33) - Shpati Zekaj ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 100 kilogramë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Xhudisti kosovar e ka mposhtur në duelin për vendin e tretë algjerianin Rayane Zakaria Benatia dhe i ka siguruar Kosovës medaljen e gjashtë në këto Lojëra.
Benatia ka marrë tri dënime gjatë përballjes, duke bërë që fitorja t’i takojë Zekajt.
Me këtë sukses, Kosova tashmë numëron gjashtë medalje në “Taranto 2026”, prej tyre pesë në xhudo.
Medalja e pestë për Kosovën në “Taranto 2026”, Laura Fazliu fiton të argjendtën
Laura Fazliu ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i sjellë Kosovës medaljen e pestë në këtë ngjarje dhe të katërtën nga xhudo.
Xhudistja kosovare ka garuar në kategorinë deri në 63 kilogramë, ndërsa në finale është përballur me italianen Carlotta Avanzato.
Finalja ka qenë e luftuar dhe asnjëra prej xhudisteve nuk ka arritur të krijojë shumë raste. Në fund, Avanzato ka fituar me yuko, pikën më të vogël në xhudo, duke ia mohuar Laurës medaljen e artë.
Fazliu e ka provuar deri në fund ta realizonte një hedhje, por nuk ka arritur ta gjejë aksionin e nevojshëm për ta përmbysur rezultatin.
Rrugëtimin drejt finales, Laura e ka nisur me fitore ndaj turkes Ozlem Yildiz, ndërsa në gjysmëfinale ka triumfuar në mënyrë bindëse ndaj francezes Doria Boursas.
Me medaljen e argjendtë të Fazliut, Kosova tani numëron pesë medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Medaljen e artë për Kosovën e ka fituar boksierja Donjeta Sadiku, ndërsa medalje të bronzta kanë marrë xhudistët Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi.
Laura Fazliu në finale të Lojërave Mesdhetare, Zekaj lufton për bronzin
Xhudistja kosovare Laura Fazliu është kualifikuar në finale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke siguruar kështu mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.
Fazliu, e cila garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, në rrugëtimin drejt finales e ka mposhtur francezen Doris Boursas.
Në finale, xhudistja kosovare do të përballet me italianen Carlota Avanxako, në përballjen ku do të kërkojë medaljen e artë.
Ndërkohë, edhe Shpati Zekaj vazhdon garën për medalje në Taranto.
Në repesazhin e kategorisë deri në 100 kilogramë, Zekaj e ka mposhtur grekun Athanasios Mylonelis, duke siguruar të drejtën për të luftuar për medaljen e bronztë.
Laura Fazliu në gjysmëfinale, Zekaj ende lufton për të bronztën
Xhudistja kosovare Laura Fazliu është kualifikuar në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke mbetur vetëm një fitore larg medaljes.
Fazliu garon në kategorinë deri në 63 kilogramë, ndërsa në çerekfinale është përballur me turken Ozlem Yildiz.
Kosovarja e ka siguruar fitoren pasi Yildiz ka marrë tri dënime, duke i dhënë kështu Laurës kalimin në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, Fazliu do të përballet me francezen Doria Boursas. Një fitore në këtë përballje do t’ia siguronte medaljen.
Ndërkohë, Shpati Zekaj është eliminuar nga gara për medaljen e artë, pasi është mposhtur në çerekfinale të kategorisë deri në 100 kilogramë.
Zekaj ka pësuar nga tuniziani Koussay Ben Ghares. Xhudisti kosovar ka qenë duke udhëhequr me waza-ari, por më pas tuniziani ka realizuar ippon dhe e ka fituar meçin.
Megjithatë, gara nuk ka përfunduar për Zekajn. Ai do të ketë mundësi të luftojë për medaljen e bronztë përmes repesazhit, ku i nevojiten dy fitore për ta siguruar medaljen.























