Liverpool ndalet sërish, vetëm dy pikë pas dy xhirove
Uran Krasniqi/RTKLive
Liverpool ka barazuar sërish 2-2 në Premier League, kësaj radhe në “Anfield” ndaj Nottingham Forest.
Kampioni i disafishtë i i Anglisë mbetet pa fitore pas dy ndeshjeve të para të sezonit, duke regjistruar dy barazime.
Pas pikës së marrë në minutën e nëntëdhjetë e nëntë ndaj Newcastle United në javën e parë, Liverpool nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë as në shtëpi përballë Nottingham Forest.
Mysafirët e kanë nisur më mirë ndeshjen dhe në minutën e tridhjetë kanë kaluar në epërsi. Dan Ndoye ka shënuar pas asistimit të Morgan Gibbs-White, duke goditur saktë në këndin e largët.
Liverpool ka reaguar dhe ka krijuar disa mundësi për barazim. Florian Wirtz ka realizuar, por goli është anuluar për shkak të pozitës jashtë loje të Jeremie Frimpong në aksion. Wirtz ka pasur edhe një tjetër rast, por portieri Matz Sels e ka ndalur goditjen e tij me kokë.
Në fund të pjesës së parë, Nottingham Forest ka qenë pranë golit të dytë, por Alisson Becker ka bërë një pritje të jashtëzakonshme ndaj Igor Jesus.
Liverpooli e ka gjetur barazimin pas një ore lojë. Cody Gakpo ka asistuar për Alexander Isak, i cili e ka pasur të lehtë ta dërgojë topin në rrjetë nga afër.
Megjithatë, festa e vendasve ka zgjatur vetëm rreth dhjetë minuta. Portieri Alisson ka shkaktuar penallti pas ndërhyrjes ndaj Neco Williams, ndërsa Morgan Gibbs-White ka qenë i saktë nga pika e bardhë për 1-2.
Liverpooli nuk është dorëzuar dhe në minutën e tetëdhjetë e dytë kaa arritur ta barazojë sërish rezultatin. Víctor Munoz ka realizuar me një goditje të fortë që ka përfunduar në rrjetë pas prekjes së traversës.
Në minutat e fundit, Liverpool e ka kërkuar golin e fitores, por nuk ka arritur ta përmbysë rezultatin.























