Drita pëson humbje nga Feronikeli 74
Uran Krasniqi / RTKLive
Drita, kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, është mposhtur në udhëtim nga Feronikeli 74 me rezultat 1-0, në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas ka qenë e barabartë në pjesën e parë. Të dyja skuadrat kanë shkuar në pushim me rezultatin 0-0, ndërsa gjatë dyzet e pesë minutave të para kanë munguar edhe rastet e mëdha për shënim.
Feronikeli 74 e ka nisur më mirë pjesën e dytë dhe vetëm dy minuta pas rifillimit ka arritur të shënojë golin e fitores. Avni Selmani ka realizuar për 1-0, duke i dhënë skuadrës vendëse një avantazh që Drita nuk ka arritur ta përmbysë deri në fund.
Kështu, Drita, e cila sezonin e kaluar u shpall kampione e Kosovës, mbetet pa pikë nga Drenasi.
Në programin e sontëm të Superligës është edhe përballja Gjilani – Ballkani.
Aktualisht në krye të tabelës është Prishtina me dymbëdhjetë pikë, e ndjekur nga Malisheva me dhjetë pikë.























