Peja rikthehet në RTK, ndeshjet në FIBA Europe Cup
F.B/RTKLive
Radio Televizioni i Kosovës, vjen me një tjetër ekskluzivitet.
KB Peja, një nga klubet më të mëdha në basketbollin kosovar, rikthehet në RTK.
RTK do të jetë transmetues i ndeshjeve të KB Peja në garat evropiane.
KB Peja dhe RTK janë partnerë të vjetër, me një bashkëpunim që daton që nga vitet e para të pasluftës, duke ndërtuar ndër vite një raport të rëndësishëm në promovimin dhe transmetimin e basketbollit pejan.
Ky partneritet u rikthye edhe në sezonin 2022/23, kur RTK ishte partner transmetues i KB Peja gjatë pjesëmarrjes së klubit në Ligën Ballkanike (BIBL).
Tash, pas disa vitesh, KB Peja dhe RTK rikthejnë bashkëpunimin në një tjetër skenë ndërkombëtare. RTK do të transmetojë ndeshjet e Pejës në FIBA Europe Cup, duke nisur me përballjen e shumëpritur:
KB Peja-Dinamo Bukuresht, duel që do të luhet me 23 shtator në ‘Karagaçi’ të Pejës.
Ky bashkëpunim ka rëndësi të veçantë për klubin, pasi synimi ynë është që KB Peja të jetë sa më pranë të gjithë tifozëve, jo vetëm atyre që e ndjekin skuadrën drejtpërdrejt në palestrën “Karagaçi”.
Përmes transmetimit në RTK, tifozët nga e gjithë Kosova, diaspora dhe të gjithë adhuruesit e basketbollit do të kenë qasje të lehtë dhe të drejtpërdrejtë për t’i ndjekur ndeshjet e KB Peja, në një nga platformat më të rëndësishme mediatike në vend.
Për KB Peja, ky bashkëpunim ka gjithashtu një rëndësi të veçantë institucionale. Të kemi transmetuesin publik të Kosovës si partner të klubit në rrugëtimin tonë evropian është një vlerë dhe përgjegjësi e madhe për ne.
Marrëveshja për rikthimin e këtij partneriteti është finalizuar ndërmjet Drejtorit të RTK-së, Rilind Gërvalla, dhe Drejtorit Gjeneral të KB Peja, Arber Elshani.
KB Peja dhe RTK – partneritet me histori, bashkëpunim për të ardhmen.























