E ardhmja e Richarlisonit te Tottenham mbetet e paqartë
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i Tottenham, Roberto De Zerbi, nuk ka dhënë garanci se sulmuesi brazilian Richarlison do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës londineze, në një kohë kur mes lojtarit dhe klubit ka mosmarrëveshje për të ardhmen e tij.
Richarlison ka edhe nëntë muaj kontratë me Tottenham, por njëzet e nëntë vjeçari dëshiron të largohet nga klubi.
Sulmuesi ka qenë pranë një rikthimi te ish-klubi i tij, Everton, por marrëveshja kishte dështuar pak para mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator.
Tash, Richarlison po kërkon të largohet në formë huazimi te Vasco da Gama në Brazil. Ideja e tij është të luajë atje deri në janar dhe më pas të rivlerësojë të ardhmen. Drejtori sportiv i Vasco da Gamës, Admar Lopes, ka konfirmuar se klubi brazilian është në bisedime për transferimin e tij.
Megjithatë, Tottenham preferon një shitje përfundimtare dhe jo huazimin e lojtarit. Kjo ka krijuar një ngërç, ndërsa afati kalimtar në Brazil mbyllet të premten në mbrëmje.
Richarlison i ishte bashkuar Tottenham në vitin 2022, por nuk ka luajtur për klubin që nga humbja 3:0 ndaj Brentford në javën e parë të Premier League. Ai më pas nuk ishte përfshirë në listën prej njëzet e pesë lojtarësh të Tottenham për sezorin e ri të publikuar më 3 shtator.
I pyetur nëse Richarlison ka ende të ardhme te Tottenham, De Zerbi nuk është përgjigjur direkt.
“Nuk e di. Nuk është puna ime”, ka thënë ai.
Trajneri italian ka shtuar se të gjitha palët e përfshira e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur.
“E di shumë mirë se çfarë ka bërë klubi për Richarlison dhe e di shumë mirë se çfarë ka bërë Richarlison për klubin gjatë muajit apo dy muajve të fundit. Klubi e di, ai e di, agjenti i tij e di. Të gjithë e dinë më mirë se ju (mediat v.j.). Shumë më mirë.”
Ndërkohë, Tottenham po kalon një fillim të vështirë të sezonit. Skuadra e De Zerbi ende nuk ka fituar dhe nuk ka shënuar gol në kampionat.
Megjithatë, trajneri italian mbetet optimist për skuadrën.
“Mendoj se jemi më të mirë se sezonin e kaluar. Është e vështirë ta besosh tani, sepse nuk po fitojmë dhe nuk po shënojmë, por jam pozitiv. Besoj te lojtarët e mi, besoj te ky grup. Mendoj se lojtarët kanë cilësi të mëdha dhe potencial të madh”, ka thënë ai.























