Ronaldo kërkon përjashtim të përjetshëm nga stadiumet për tifozët që tallën Jota
Uran Krasniqi/RTKLive
Cristiano Ronaldo ka kërkuar masa të ashpra ndaj tifozëve që kënduan kore fyese për ish-futbollistin e Portugalisë, Diogo Jota, gjatë një ndeshjeje në Arabinë Saudite.
Tifozë kundërshtarë të Al Hilal u dëgjuan duke brohoritur emrin e Jota gjatë fitores 6:0 të Al Hilal ndaj Al Taawoun të shtunën. Jota, ish-sulmues i Liverpool dhe Portugalisë, humbi jetën në një aksident trafiku në Spanjë në korrik të vitit 2025, së bashku me vëllain e tij Andre.
Nga koret e tifozëve ështv prekur veçanërisht Ruben Neves, mesfushori i Al Hilal dhe një nga miqtë më të afërt të Jota. Neves ishte edhe një nga personat që mbajtën arkivolin e Jota gjatë ceremonisë së varrimit.
Neves ka reaguar ndaj tifozëve duke duartrokitur në mënyrë ironike dhe duke bërë me shenjë drejt qiellit. “Shpresoj vetëm që ata të mos shkojnë të luten më vonë pas asaj që bënë”, ka thënë ai pas ndeshjes.
Ronaldo, kapiten i Portugalisë dhe futbollist i Al Nassr, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve të futbollit.
“Liga duhet të marrë masa dhe ta dënojë këtë lloj sjellje të tifozëve”, ka shkruar Ronaldo. Ai ka shtuar se personat që sillen në këtë mënyrë “nuk duhet të lejohen kurrë më të hyjnë në një stadium”.
Edhe Federata Saudite e Futbollit dhe Liga Profesionale Saudite e kanë dënuar incidentin. Në një deklaratë të përbashkët e kanë cilësuar sjelljen e disa tifozëve si të papranueshme.
“Shfrytëzimi i tragjedive personale për të fyer ose provokuar është sjellje e papranueshme dhe nuk ka vend në futbollin saudit”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet saudite kanë bërë të ditur se komitetet përkatëse kanë identifikuar personat përgjegjës dhe do të ndërmarrin masa në përputhje me rregulloret në fuqi.
Ngjarja ndodhë në një periudhë kur Arabia Saudite po investon shumë në futboll dhe po përgatitet të organizojë Kupën e Botës në vitin 2034. Gjatë tri viteve të fundit, vendi ka investuar miliarda dollarë në futboll dhe ka tërhequr yje të mëdhenj si Ronaldo, Neymar dhe Karim Benzema.























