Roma dhe Interi ndajnë pikët në derbin e zjarrtë italian
BKT
Sport

Roma dhe Interi ndajnë pikët në derbin e zjarrtë italian

F.B/RTKLive

Interi ka shpëtuar me një pikë në transfertën ndaj Romës, duke barazuar 2-2 në një përballje dramatike të javës së pestë të Serie A.

Skuadra e Romës kaloi në epërsi të dyfishtë falë dy golave të Manu Konés, por kampionët në fuqi të Italisë reaguan në pjesën e dytë, me Lautaro Martinez që realizoi dy herë për të siguruar një pikë për ekipin e Cristian Chivut.

Roma e nisi furishëm ndeshjen dhe zhbllokoi rezultatin pas vetëm gjashtë minutash. Paulo Dybala harkoi në zonë, Nahuel Molina e ktheu topin drejt qendrës, ndërsa Koné u gjend në pozicion të favorshëm dhe realizoi nga afër.

Interi reagoi gradualisht dhe pati disa mundësi të mira për të barazuar. Mile Svilar ndali Yann Bisseckun, ndërsa Lautaro Martínez nuk arriti të devijonte saktë një krosim të Federico Dimarcos. Alessandro Bastoni më pas goditi shtyllën nga një kënd i vështirë.

Roma e shfrytëzoi më së miri këtë moment dhe dyfishoi epërsinë para pushimit. Koné reagoi shpejt në zonë dhe realizoi golin e dytë personal, pas një aksioni ku ndërhyrja e VAR-it konfirmoi vlefshmërinë e golit.

Interi u rikthye fuqishëm pas pushimit. Vetëm pak sekonda pas nisjes së pjesës së dytë, Lautaro Martínez ngushtoi diferencën, duke devijuar në rrjetë pas asistimit të Marcus Thuramit.

Roma pati mundësinë për të rikthyer avantazhin prej dy golash, por Donyell Malen u ndal nga portieri Josep Martínez, pas një goditjeje të rrezikshme në zonë.

Presioni i Interit u shpërblye në minutën e 79-të. Pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë, Thuram goditi me kokë, ndërsa Svilar priti fillimisht. Topi përfundoi te Lautaro, i cili kontrolloi me kofshë dhe më pas goditi fuqishëm për 2-2.

Në minutat e fundit, Interi kërkoi edhe përmbysjen e plotë, por Thuram nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke goditur jashtë portës.

Me këtë barazim, Interit i ndërpritet starti perfekt në kampionat, ndërsa Roma mbetet e pamposhtur në shtëpi në 15 ndeshjet e fundit të Serie A. Të dyja skuadrat vazhdojnë të kenë nga pikë të njëjta në krye të tabelës, me Romën përpara vetëm falë golaverazhit.