Sveçla në trevjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut: Drejtësia mbetet e paplotë
BKT
Lajme

Sveçla në trevjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut: Drejtësia mbetet e paplotë

E.Hoti/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se tre vite më parë Kosova u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës i cili ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.

Ai ka vlerësuar sakrificën e Bunjakut dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës, duke thënë se institucionet e vendit mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.

“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.

Ministri ka theksuar se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë, ndërsa sakrifica e tij, sipas tij, do të mbetet pjesë e kujtesës kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme