Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë në San Marino
F.B/RTKLive
Interesimi i tifozëve shqiptarë për ta ndjekur nga afër Kombëtaren në udhëtim është i madh.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat e rezervuara për tifozërinë kuqezi për ndeshjen San Marino – Shqipëri, e cila do të zhvillohet më 29 shtator, në orën 20:45, në stadiumin e San Marinos, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Sektori i dedikuar për tifozët shqiptarë në Tribunën SUD, i identifikuar në platformën e shitjes me emërtimin “Albania”, tashmë është i mbushur plot.
FSHF ka falënderuar tifozët për mbështetjen dhe i ka bërë thirrje të gjithë atyre që do të jenë të pranishëm në stadium që të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere sa më të bukur dhe të përkrahin Kombëtaren shqiptare gjatë gjithë ndeshjes.
Ndërkohë, vazhdon shitja e biletave për ndeshjen e parë të Shqipërisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, atë ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Air Albania”.
Tifozët mund t’i blejnë biletat fizikisht pranë stadiumit “Air Albania”, ose online përmes platformës “ebileta.al”.
Ndeshja Shqipëri – Bjellorusi do të zhvillohet më 26 shtator, në “Air Albania”.























