Jesus ndryshon qëndrim, Ronaldo pritet të rikthehet te Portugalia
BKT
Sport

Jesus ndryshon qëndrim, Ronaldo pritet të rikthehet te Portugalia

F.B/RTKLive

Situata mes Jorge Jesus dhe Cristiano Ronaldos duket se po shkon drejt një zgjidhjeje.

Trajneri i Portugalisë raportohet se ka ndryshuar qëndrim dhe i ka bërë të ditur yllit të skuadrës se do ta grumbullojë për ndeshjet e nëntorit.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi, pas fitores ndaj Norvegjisë, Jorge Jesus deklaroi në konferencën për shtyp se nuk kishte ndërmend t’i kërkonte falje askujt.

Megjithatë, duket se palët po i afrohen një marrëveshjeje. Ronaldo, ndërkohë, nuk ka pritur për një takim të menjëhershëm dhe të mërkurën është rikthyer në Arabinë Saudite, duke lënë për momentin në pritje përpjekjet për një “paqe” mes tij dhe trajnerit.

Sipas mediave portugeze, takimi mes dy palëve pritet të zhvillohet gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtares, kur Portugalia do të përballet me Danimarkën në Braga dhe me Uellsin.

Në mes të kësaj situate është edhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, i cili ka thyer heshtjen për përplasjen mes trajnerit dhe kapitenit të Portugalisë.

“Nuk kam ndërmend të them publikisht atë që kemi diskutuar. Mendoj se kanë qenë biseda normale. Në këtë çështje po flasim për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, i cili për dy dekada ka dhënë shumë për futbollin tonë. Cristiano Ronaldo është një ikonë dhe si i tillë duhet trajtuar”, deklaroi Proença.

Tashmë vëmendja është te grumbullimi i nëntorit, ku pritet të shihet nëse Jorge Jesus dhe Cristiano Ronaldo do t’i japin fund përfundimisht tensioneve dhe do të rikthejnë qetësinë në kampin e Portugalisë.