Gerrard: Sikur ta dija se do të vinte Klopp, nuk do të largohesha nga Liverpooli
BKT
Sport

Gerrard: Sikur ta dija se do të vinte Klopp, nuk do të largohesha nga Liverpooli

F.B/RTKLive

Steven Gerrard ka rrëfyer se do të kishte shtyrë largimin nga Liverpooli, nëse do ta kishte ditur se Jurgen Klopp do të merrte drejtimin e skuadrës vetëm disa muaj më vonë.

Legjenda e “Reds” u largua nga Liverpooli në verën e vitit 2015, duke iu bashkuar LA Galaxy-t, ndërsa Klopp u emërua trajner i klubit anglez në tetor të po atij viti. Në këtë mënyrë, Gerrard humbi mundësinë për të punuar nën drejtimin e trajnerit gjerman.

Duke folur për mundësinë e të luajturit nën urdhrat e Kloppit, Gerrard pranoi se do të kishte bërë një tjetër zgjedhje nëse do ta kishte ditur se gjermani do të merrte drejtimin e Liverpoolit.

“Do të sakrifikoja shumë gjëra, profesionalisht dhe personalisht, vetëm për të pasur mundësinë të luaja për Kloppin”, ka thënë Gerrard.

Ish-kapiteni i Liverpoolit tregoi se në fund të karrierës së tij në “Anfield” kishte marrë një ofertë për të qëndruar edhe një sezon, por bisedat me stafin e atëhershëm të klubit e kishin bindur se roli i tij do të ishte më i kufizuar.

“Më ishte ofruar një kontratë njëvjeçare për të qëndruar edhe një sezon te Liverpooli. Por, nga bisedat që kisha me stafin e klubit në atë kohë, kuptova se do të isha më shumë një lojtar dytësor, me më pak minuta dhe jo aq aktiv sa do të dëshiroja”, rrëfeu ai.

Gerrard shtoi se gjithçka do të kishte ndryshuar nëse do ta kishte ditur paraprakisht se Klopp do të merrte drejtimin e skuadrës.

“Nëse do ta dija se Jurgen do të vinte, do të kisha rrezikuar të qëndroja. Do të provoja ta bindja atë dhe ndoshta do të kisha pasur një mundësi në fund të karrierës sime. Fatkeqësisht, mora vendimin për t’u larguar. Tani, duke e parë në retrospektivë, do të kisha qëndruar dhe do ta kisha marrë atë rrezik”, deklaroi Gerrard.

Klopp më pas ndërtoi një nga skuadrat më të suksesshme në historinë moderne të Liverpoolit, duke fituar tetë trofe madhorë, përfshirë Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup.

Nëse Gerrard do të kishte qëndruar, mund të kishte shtuar trofe të tjerë në karrierën e tij, megjithëse në moshën 35-36-vjeçare roli i tij te Liverpooli do të mund të ishte kryesisht nga banka rezervë.