Kane synon rekordin e Ronaldos: Kush e di se sa larg mund të shkoj
F.B/RTKLive
Harry Kane po vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Anglisë dhe, pas një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer, nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të synojë rekordin e Cristiano Ronaldos për golat me kombëtaren.
Sulmuesi i Anglisë shënoi dy herë në fitoren 3-0 ndaj Çekisë, duke e çuar në 91 numrin e golave me përfaqësuesen dhe duke barazuar njëkohësisht rekordin e Peter Shiltonit për paraqitje me Anglinë, me 125 ndeshje.
Kane, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e “Tre Luanëve”, ende nuk mendon për pensionimin nga futbolli ndërkombëtar. Në fakt, ai pranoi se rekordi i Ronaldos është një objektiv që mund të merret në konsideratë nëse vazhdon të luajë në nivele të larta.
“Do të shohim sa larg mund të shkoj. Aktualisht jemi te 50 e ca gola larg dhe është një rrugë shumë e gjatë, por kush e di? Jam në formë të shkëlqyer”, deklaroi Kane.
Cristiano Ronaldo, 41-vjeçar, kryeson listën e golashënuesve më të mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar, me 146 gola për Portugalinë.
Kane, ndërkohë, ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të vendosë një afat për largimin nga kombëtarja angleze.
“Kam thënë edhe më parë se disa prej lojtarëve me të cilët kam luajtur kanë vazhduar deri në fund të të 30-ave dhe madje edhe në të 40-at, duke luajtur në nivelin më të lartë. Për mua është sezon pas sezoni. Për sa kohë që ndiej se mund ta ndihmoj ekipin, do të jem këtu”, u shpreh ai.
Ndeshja ndaj Çekisë kishte një domethënie të veçantë për Kane, pasi ai barazoi rekordin e Peter Shiltonit për paraqitje me Anglinë. Sulmuesi debutoi në vitin 2015 dhe shënoi vetëm 79 sekonda pas hyrjes së tij në fushë me fanellën e kombëtares.
Trajneri Thomas Tuchel e vlerësoi maksimalisht paraqitjen e kapitenit.
“E pabesueshme. Ai e meriton këtë skenë dhe të gjitha këto vlerësime”, tha Tuchel.
Kane theksoi se një prej faktorëve kryesorë pas suksesit të tij ka qenë besimi në aftësitë e veta dhe puna e vazhdueshme.
“Gjithmonë kam pasur shumë besim në vete. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të bëj ndoshta më shumë se të tjerët dhe ta shtyj veten përtej limiteve. Kam kombinuar talentin që kam me shumë punë, besim, përkushtim dhe disiplinë”, tha ai.
Sulmuesi, i cili po zhvillon një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me Bayern Munichun, beson se ende mund të përmirësohet, pavarësisht përvojës së madhe.
“Po vij nga sezoni im më i mirë ndonjëherë si futbollist dhe e kam nisur këtë sezon po aq mirë sa atë të kaluarin. Jam në një moment të mirë dhe tani për mua gjithçka ka të bëjë me ta shtyrë veten dhe të shoh se sa larg mund të arrij”, deklaroi Kane.
Pas largimit nga Tottenham, ku u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, Kane ka vazhduar të thyejë rekorde edhe në Gjermani. Me Bayern Munichun, ai u bë futbollisti më i shpejtë që arrin kuotën e 100 golave në Bundesligë, duke e bërë këtë në vetëm 98 ndeshje.
“Unë nuk do të ndalem. Do të vazhdoj të shtyhem përpara dhe të shoh se ku do të më çojë kjo. Ndoshta pas rreth 10 vitesh do ta shohim se ku është tavani im”, përfundoi Kane.























