Real Madridi dhe Barcelona në garë për talentin e Manchester United
BKT
Sport

Real Madridi dhe Barcelona në garë për talentin e Manchester United

F.B/RTKLive

Një nga talentët më premtues të akademisë së Manchester United, JJ Gabriel, duket se është pranë largimit nga klubi anglez, ndërsa e ardhmja e tij mund të vendoset mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Real Madridit dhe Barcelonës.

16-vjeçari kërkoi zyrtarisht largimin nga Manchester United muajin e kaluar, duke kërkuar anulimin e regjistrimit të tij si lojtar i akademisë, çka do t’i hapte rrugën transferimit në një klub tjetër.

Gabriel konsiderohet një nga talentët më të mëdhenj të brezit të tij dhe tërhoqi vëmendjen pas paraqitjeve mbresëlënëse me ekipet e moshave të “Djajve të Kuq”. Ai shënoi një tregolësh në debutimin e tij në UEFA Youth League ndaj Sabahut më 10 shtator, por që nga ajo kohë nuk është stërvitur më me klubin anglez.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, lojtari ka zhvilluar stërvitje në Barcelonë, ndërsa interesi nga dy rivalët e mëdhenj të La Ligas është bërë gjithnjë e më konkret.

Gazetari i “Sky Sports Germany”, Florian Plettenberg, raporton se Real Madridi dhe Barcelona kanë kontaktuar tashmë përfaqësuesit e lojtarit dhe kanë paraqitur oferta të rëndësishme financiare.

Shanset e Manchester United për ta mbajtur talentin e ri në “Old Trafford” duket se po zvogëlohen, ndërsa vendimi përfundimtar mbi klubin ku Gabriel do të vazhdojë karrierën pritet të merret në javët e ardhshme.

Gara mes Real Madridit dhe Barcelonës për nënshkrimin e një prej talenteve më të kërkuara të futbollit evropian pritet të jetë një nga historitë më interesante të afatit kalimtar të ardhshëm.