Aktakuzë për fajde në Prizren, dyshohet për mbi 400 mijë euro kamata
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, E.K. dhe A.K., për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa E.K. akuzohet edhe për veprën penale “Detyrimi”. Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K. dyshohet se ka përfituar mbi 400 mijë euro vetëm nga kamatat, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i kishte dhënë atij shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale.
Si rezultat i kësaj skeme të dyshuar të fajdesë, E.K. pretendohet se kishte marrë mbi 400 mijë euro vetëm në emër të kamatave.
Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri E.K., përmes kanosjeve serioze dhe presionit, dyshohet se e kishte detyruar viktimën të paguante kamatat dhe të mos e denonconte rastin në polici.
Sipas aktakuzës, ai e kishte kanosur viktimën me vrasjen e tij dhe të anëtarëve të familjes, duke i shkaktuar dëm pasuror, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjarëve.
Në pamundësi për ta shlyer borxhin, në këtë rast ishte përfshirë edhe viktima e dytë, B.B., i cili kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar viktimën e parë.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit E.K. dhe A.K., për shkak të grumbullimit të kamatave, kishin kërkuar nga viktima shumën prej 550 mijë eurosh.
Më pas, gjatë një bisede, i pandehuri kishte kërkuar shumën prej 450 mijë eurosh, duke kërkuar që në emër të kamatave t'i kaloheshin në pronësi lokalet afariste dhe shtëpia, me vlerë rreth një milion euro.
Më 11 mars 2026, të pandehurit, së bashku me viktimën dhe nënën e tij, kishin shkuar fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat, për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës.
Megjithatë, si rezultat i zbatimit të masave të veçanta hetimore, kishte ndërhyrë Policia, duke arrestuar të pandehurit.
Lidhur me të njëjtin rast, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për veprën penale “Pastrimi i parave”, duke ngrirë disa patundshmëri.
Po ashtu, është propozuar konfiskimi i parave të gatshme, dy automjeteve, akteve të ndryshme noteriale dhe provave të tjera materiale që ndërlidhen me veprat penale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Bëje titullin më të shkurtërShmang përsëritjet për kamatatPërdor kohën e njëtrajtshme























