Islami: Vuçiqi po e humb fuqinë politike, Kosova duhet të jetë vigjilente
BKT
Kosovë

Islami: Vuçiqi po e humb fuqinë politike, Kosova duhet të jetë vigjilente

N.M. /RTKlive

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se sistemi politik i ndërtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po përballet me dobësim më të shpejtë sesa është pritur.

Në një postim në Facebook, Islami ka thënë se shenjat e para të humbjes së fuqisë politike të Vuçiqit janë shfaqur pas humbjes në zgjedhjet nacionale, ndërsa sipas tij, edhe figura të tjera të afërta me të, përfshirë Aleksandar Vulinin dhe Milan Mojsiloviqin, janë të shqetësuara për të ardhmen e tyre politike.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet që lidhen me ALTA Bankën në Serbi, ku, sipas tij, po hetohen dyshime për keqpërdorime financiare në vlerë prej miliona eurosh.

Islami i është referuar edhe hulumtimeve të BIRN-it për lidhjet ndërmjet kompanisë së Macurës dhe Milan Radoiçiqit, duke thënë se ato e vendosin rastin në një kontekst më të gjerë të marrëdhënieve ndërmjet biznesit, politikës dhe qarqeve ekonomike në Serbi.

Sipas tij, për Kosovën rëndësi të veçantë kanë lidhjet e përmendura me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, të cilët i ka cilësuar si figura të lidhura me Listën Serbe dhe rrjete biznesore e ekonomike në Serbi dhe Kosovë.

Megjithatë, Islami ka theksuar se deri më tani nuk ka dëshmi në materialet e publikuara se fondet e përfshira në aferën e ALTA Bankës janë përdorur për financimin e Listës Serbe apo aktiviteteve të Radoiçiqit.

Ai ka paralajmëruar se Kosova duhet të përcjellë me kujdes zhvillimet në Serbi dhe të jetë vigjilente ndaj, siç ka thënë, elementeve të afërta me Vuçiqin që ende mund të ndërmarrin veprime në dëm të vendit.


MË SHUME NGA Kosovë