Java e ardhshme me vranësira dhe reshje shiu
N.M. /RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar që java e ardhshme, nga 9 deri më 13 nëntor, të karakterizohet me vranësira të shpeshta, intervale me diell dhe reshje të herëpashershme shiu.
Të hënën, moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me riga shiu, ndërsa në orët e hershme të mëngjesit në shumë zona parashihet paraqitja e mjegullës. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 11 gradë.
Të martën pritet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell, me temperatura minimale nga 1 deri në 5 gradë dhe maksimale nga 9 deri në 14 gradë Celsius.
Të mërkurën do të ketë vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në disa vende mund të ketë riga shiu. Temperaturat do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius në mëngjes, ndërsa gjatë ditës nga 11 deri në 15 gradë.
Sipas parashikimit të IHMK-së, të enjten dhe të premten temperaturat do të shënojnë rritje, duke arritur deri në 19 gradë Celsius. Të enjten moti do të jetë i vranët me intervale me diell, ndërsa të premten parashihen vranësira dhe riga shiu në disa zona.
Në përgjithësi, temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 1 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 11 deri në 19 gradë.
IHMK ka bërë të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë të ndryshueshme, ndërsa lagështia e shtuar dhe ndryshimet e motit mund të ndikojnë te personat e ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike.
Ndërkaq, kushtet agrometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për kulturat bujqësore, falë lagështisë së mjaftueshme në tokë.























