Makineritë serbe përfundonin në industrinë ushtarake ruse
REL
Kompania serbe “Grindex”, në vitet pas pushtimit të Ukrainës, u ka furnizuar me makineri kompani ruse, të cilat më pas i kanë dërguar ato te ndërmarrje të industrisë ushtarake ruse, ndaj të cilave janë vendosur sanksione, mëson Radio Evropa e Lirë (REL).
Të dhënat e siguruara nga REL tregojnë se prodhuesi i makinerive për përpunimin e metaleve nga Kikinda, në veri të Serbisë, ka vazhduar pas vitit 2022 eksportin e pajisjeve në Rusi përmes kompanive ndërmjetëse, disa prej të cilave janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Nga marsi i vitit 2022 deri në mars të vitit 2025, në Rusi janë importuar makineri të prodhuesit “Grindex” në vlerë prej rreth 27.5 milionë eurosh, tregojnë të dhënat e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), të siguruara nga projekti hulumtues “Skemat” i Shërbimit Ukrainas të REL-it.
REL-i i ka marrë këto informacione nga HUR-i, pasi “Grindex” është përfshirë në bazën publike të të dhënave të kompanive që furnizojnë industrinë ushtarake ruse me pajisje.
Këto të dhëna konfirmohen edhe nga analiza e raporteve financiare dhe bazave të të dhënave, e realizuar nga “Systema”, njësia hulumtuese e Shërbimit të Radios Evropa e Lirë në gjuhën ruse.
Kompania “Grindex” nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me eksportin e makinerive në Rusi. Përgjigje nuk dhanë as kompanitë ruse që i kishin blerë ato.
Sipas HUR-it, aktualisht nuk dihen rrugët përmes të cilave janë transportuar makineritë e “Grindex”, kompani ndaj së cilës nuk janë vendosur sanksione nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj qindra kompanive të kompleksit ushtarako-industrial rus.
Serbia është një nga vendet e pakta kandidate për anëtarësim në BE që nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Kjo e lehtëson tregtinë me kompanitë ruse, vlerëson Ella Skybenko, hulumtuese e lartë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Qendrën Ndërkombëtare për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut.
“Megjithatë, Serbia ka ende ligje për kontrollin e eksporteve, përfshirë kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha eksportet në Rusi janë të lejuara”, tha Skybenko për REL-in.
Serbia në vitin 2025 miratoi një ligj të ri që kufizon eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë, pra pajisjeve që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.
Megjithatë, Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë, e cila lëshon lejet për eksportin e këtyre mallrave, i tha REL-it se nuk i kishte dhënë një leje të tillë kompanisë “Grindex”.
“Ministria nuk është e njoftuar me programin e prodhimit dhe karakteristikat e produkteve të kompanisë Grindex”, thuhet në përgjigjen e saj.
Nga ministria shtuan se nuk posedojnë të dhëna për të përcaktuar nëse makineritë i nënshtrohen kontrollit dhe nëse ka kufizime për eksportin e tyre.
Ndërkaq, nga Administrata Doganore e Serbisë i thanë REL-it se nuk janë kryer kontrolle të mëvonshme të eksporteve të kompanisë “Grindex”.
Nga veriu i Serbisë drejt industrisë ushtarake ruse
Njëra nga kompanitë ndërmjetëse të cilave “Grindex” u ka furnizuar me makineri është “AMG”, kompani ruse që merret me furnizimin me pajisje dhe makineri për përpunimin e metaleve.
Kjo kompani, e njohur edhe si “Alfa Machinery Group”, u përfshi në listën e sanksioneve amerikane në vitin 2023, për shkak të furnizimit të industrisë ruse të mbrojtjes.
Në listën e sanksioneve të BE-së ndodhet që nga dhjetori i vitit 2024, për shkak të mbështetjes së kompleksit ushtarako-industrial rus në luftën kundër Ukrainës.
Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës thekson se “Grindex” kishte lidhur kontratë me “AMG”-në në dhjetor të vitit 2022 për furnizimin me një makinë CNC për bluarje. Dorëzimi përfundimtar i makinerisë u bë në kohën kur “AMG” tashmë ishte nën sanksionet amerikane.
Makina CNC për bluarje është pajisje që përdoret për bluarje dhe kontrollohet përmes kompjuterit. Sipas deklaratës doganore, vlera e saj ishte rreth 778 mijë euro.
Sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, “AMG” më pas ia kishte dorëzuar makinerinë Ndërmarrjes së Prodhimit të Makinerive “I. Rumyantsev”, e cila prodhon pjesë për avionë.
Kjo ndërmarrje është pjesë e sistemit industrial shtetëror rus “Rostec”, i cili prodhon pajisje për aviacionin ushtarak dhe civil. “Rostec” është nën sanksionet amerikane që nga viti 2014, për shkak të asaj që qeveria amerikane i ka cilësuar si “përpjekje të vazhdueshme të Rusisë për destabilizimin e Ukrainës Lindore”. Kompania u sanksionua sërish në vitin 2022, kur u përfshi edhe në listën e sanksioneve të BE-së.
Në një dokument të Zyrës Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), “Rostec” cilësohet si “gurthemeli i sektorit rus të mbrojtjes, industrisë, teknologjisë dhe prodhimit”.
Shërbimi ukrainas evidenton edhe një kontratë tjetër të “Grindex” me kompaninë “AMG”, të lidhur në vitin 2023, për furnizimin me një makinë CNC për bluarje, e cila më vonë përfundoi sërish në duart e “Rostec”-ut.
“Vlera e makinerisë është më shumë se 384 mijë dollarë amerikanë (342 mijë euro). Vendi i nisjes së pajisjes ishte qyteti i Kikindës në Serbi”, thuhet në dokumentin e dorëzuar REL-it.
Makineria u importua në shkurt të vitit 2025, ndërsa vetëm dy muaj më vonë “AMG” ia dorëzoi Ndërmarrjes së Agregateve “Hidraulika” në Ufa, e cila gjithashtu është pjesë e “Rostec”-ut dhe prodhon pjesë për aviacionin.
Edhe vetë kompania “Hidraulika” është në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2025. Në arsyetimin për përfshirjen e saj në listë thuhet, ndër të tjera, se ajo ofron mbështetje materiale për ushtarët rusë në frontin e Ukrainës. Punonjësit e kompanisë, sipas këtij arsyetimi, prodhojnë edhe rrjeta kamufluese për ushtrinë ruse.
“Detyra kryesore e makinerisë së furnizuar nga Grindex është prodhimi i pjesëve të tipit ‘piston’, elemente kyçe lëvizëse të sistemeve hidraulike dhe të karburantit me precizion të lartë”, thuhet në dokumentin e shërbimit ukrainas.
Bashkëpunimi mes kompanive “AMG” dhe “Grindex” dëshmohet edhe nga raportet financiare të siguruara nga baza ruse e të dhënave për subjektet afariste, ndërsa lidhjet mes “AMG”-së dhe “Rostec”-ut dhe mundësia e lidhjeve pronësore shfaqen në të dhënat e tjera.
Në raportin financiar për vitin 2023, “AMG” e kishte listuar “Grindex”-in ndër furnizuesit e saj, ndërsa në mesin e blerësve të saj ishin disa kompani pjesë e “Rostec”-ut.
Në fund të vitit 2023, pronar përfundimtar i “AMG”-së ishte Evgenij Karpov, ish-punonjës i një prej kompanive të “Rostec”-ut, fabrikës së motorëve “Salyut”.
Që nga viti 2023, “AMG” ka dorëzuar çdo vit deklarata importi për makineritë e “Grindex”-it. Deklarata e fundit është dorëzuar në maj të vitit 2026. Megjithatë, REL-i nuk ka informacione nëse makineria është importuar realisht.
Bashkëpunim shumëvjeçar me kompani nën sanksione
Produktet e “Grindex”-it nga Serbia janë importuar edhe nga dy kompani të tjera që janë nën sanksionet amerikane, thuhet në dokumentin e shërbimit ukrainas.
Njëra prej tyre është “Finval Energo”, e cila merret me tregtinë me shumicë të makinerive industriale. Kjo kompani është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të aktivitetit të saj në sektorin rus të prodhimit.
Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se “Finval” bashkëpunon me prodhuesit rusë të armëve.
Sipas shërbimit ukrainas, kjo kompani ka importuar gjatë periudhës 2022–2025 makineri të “Grindex”-it në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh. Megjithatë, nuk specifikohet se për cilat makineri bëhet fjalë dhe as se kujt i janë dorëzuar më pas.
REL-i nuk ka informacione të pavarura që konfirmojnë nëse “Grindex” ka vazhduar bashkëpunimin me “Finval Energo” pas vendosjes së sanksioneve.
Që nga viti 2016, “Finval Energo” ka dorëzuar çdo vit deklarata importi për makineritë e “Grindex”-it. Deklaratat më të fundit janë dorëzuar gjatë periudhës 2023–2024.
“Finval Energo” është pjesë e grupit “Finval”, të themeluar në vitin 1991. Në mesin e klientëve të tij janë edhe kompani të industrisë së mbrojtjes, përfshirë prodhues të motorëve të avionëve që veprojnë në kuadër të “Rostec”-ut, tregojnë raportet publike.
Bashkëpunimi i “Grindex”-it me këtë kompani ka zgjatur për shumë vjet. Në vitin 2018, ekspertë të kompanisë “Finval” kishin vizituar fabrikën e “Grindex”-it në Serbi, sipas një publikimi në faqen e internetit të “Finval”-it.
Me “Grindex”-in bashkëpunon edhe kompania e sanksionuar “Unimatik MSK”, e cila gjithashtu furnizon makineri industriale. Ajo është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të bashkëpunimit me sektorin ushtarako-industrial rus.
Pronari i saj shumicë, kompania “Unimatic”, është përfshirë në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2026, për shkak të “mbështetjes materiale për kompleksin ushtarako-industrial rus”.
Në dokumentin e BE-së thuhet se kjo kompani furnizon ndërmarrjet ruse të mbrojtjes me produkte edhe përmes degës së saj “Unimatik MSK”.
Sipas të dhënave të shërbimit ukrainas, “Unimatik MSK” ka importuar nga viti 2022 deri në vitin 2024 makineri të “Grindex”-it në vlerë prej rreth 980 mijë eurosh. Megjithatë, nuk specifikohet se kujt i janë dorëzuar më pas dhe për çfarë lloj makinerish bëhet fjalë.
REL-i nuk ka informacione të pavarura që konfirmojnë nëse “Grindex” ka vazhduar bashkëpunimin me subjektet e lidhura me “Unimatic”-un pas vendosjes së sanksioneve.
Sipas faqes zyrtare ruse për prokurimin publik, në mesin e blerësve shtetërorë të makinerive të kompanisë “Unimatic” kanë qenë edhe ndërmarrje ruse të industrisë së mbrojtjes, përfshirë kompani pjesë të “Rostec”-ut.
Një version i arkivuar i faqes së internetit të “Unimatic”-ut tregon se në shtator të vitit 2023, “Grindex” ishte i listuar ndër partnerët e kësaj kompanie. Më vonë, lista e partnerëve u ndryshua dhe “Grindex” ishte ndër kompanitë që u hoqën prej saj.
Edhe me këtë kompani “Grindex” ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Të dhënat publike tregojnë se që nga viti 2019, “Unimatic” ka dorëzuar deklarata importi për produktet e saj.
Makineritë e “Grindex”-it në Rusi përmes kompanive dhe ndërmarrësve pa sanksione
Makineritë e kompanisë serbe “Grindex” kanë gjetur edhe rrugë të tjera për të përfunduar në industrinë ushtarake ruse.
Shërbimi ukrainas thotë se “Grindex” u ka furnizuar me makineri kompani ruse që nuk janë nën sanksionet perëndimore, por se këto pajisje në fund kanë përfunduar sërish në ndërmarrje të sanksionuara ruse të sektorit të mbrojtjes.
Njëra prej tyre është kompania “Krona”, pronari shumicë i kompanisë “Krona Oprema”, e cila furnizon fabrikat ruse me makineri industriale. Kjo kompani nuk është nën sanksione.
Kështu, në vitin 2024, “Krona” ia dorëzoi një makinë bluarëse të prodhuar nga “Grindex” Korporatës Shkencore dhe Prodhuese “Byroja Projektuese e Makinerive”, e cila gjithashtu është pjesë e “Rostec”-ut të sanksionuar, sipas të dhënave të shërbimit ukrainas.
Vetë kjo ndërmarrje është nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së. Ajo prodhon sisteme raketore dhe armatime të tjera, përfshirë raketën balistike me rreze të shkurtër veprimi “Iskander-M”.
Sipas një hulumtimi të publikuar në dhjetor të vitit 2023 nga mediumi rus “The Insider”, “Krona” kishte blerë makineri nga kompania “Grindex”. Kompania nuk e fsheh këtë bashkëpunim dhe në katalogun e saj përmend shprehimisht pajisjet e prodhuara nga “Grindex”.























