Trump ishte njoftuar për rastin `Nvidia`
Bardhyl Bajrami / RTK
Presidenti amerikan, Donald Trump, raportohet se ishte informuar për dyshimet e shërbimeve amerikane të inteligjencës ndaj drejtorit ekzekutiv të kompanisë Nvidia, gjatë udhëtimit të tij në Kinë në maj. Dyshimet lidhen me marrëdhënien e Huangut me një grua që autoritetet amerikane e konsiderojnë spiune të mundshme kineze.
Sipas një burimi të CNN-it, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte informuar Trumpin për çështjen gjatë udhëtimit me aeroplanin presidencial drejt Pekinit. Trumpi, megjithatë, deklaroi të hënën se kishte mësuar për këto dyshime vetëm kohët e fundit dhe se besonte në pafajësinë e drejtuesit të Nvidias.
Gruaja në fjalë, Alice Huang, drejtuese në një kompani teknologjike me seli në Singapor, dyshohet se kishte mbledhur informacione për Kinën. Pekini i ka cilësuar këto akuza si spekulime të pabaza.
Ndërkohë, FBI-ja kishte ngritur shqetësime për lidhjet e saj me Jensen Huangun që rreth një vit më parë.
Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare amerikane, veçanërisht për mundësinë e qasjes së Kinës në informacione të ndjeshme rreth teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe gjysmëpërçuesve. Ligjvënës demokratë dhe republikanë kanë kërkuar sqarime, ndërsa Nvidia ka njoftuar se do të zhvillojë hetim të brendshëm.























