Emisarët amerikanë mbërrijnë në Rusi
BKT
Rajoni dhe Bota

Emisarët amerikanë mbërrijnë në Rusi

Bardhyl Bajrami / RTK

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë pa shenja të qarta përparimi.

Pas përfundimit pa marrëveshje të bisedimeve në Abu Dabi, emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shprehu skepticizëm për rezultatet e mundshme.

Emisari i posaçëm i presidentit amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, kanë mbërritur të enjten në Moskë, ku janë pritur nga drejtori i Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev. Ata pritet të takohen me presidentin Vladimir Putin, pas bisedimeve dyditore mes delegacioneve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Abu Dabi, të cilat përfunduan të mërkurën pa ndonjë marrëveshje të njoftuar.

Para takimit në Moskë, Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara duhet të kthehen me propozime konkrete, por shprehu dyshime se bisedimet me Putinin do të sjellin përparim. Ai tha se shpreson që të arrihen rezultate këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke theksuar se populli ukrainas vazhdon të jetojë nën pasojat e luftës. Pas takimit me Putinin, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë në Dublin, ku do të takohen me presidentin ukrainas.

Ndërkohë, një sulm rus me dron në lagjen Solomianskyi të Kievit goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe, duke vrarë një person dhe plagosur pesë të tjerë. Goditja shkaktoi zjarr në disa kate dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesë, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje.

Sulme u raportuan edhe në rajonin e Sumit, ku një dron goditi një kamion dhe e përfshiu nga flakët, por nuk pati të lënduar. Autoritetet ukrainase raportuan gjithashtu 30 sulme ruse në 14 vendbanime të rajonit brenda 24 orëve, me dëme në ndërtesa banimi dhe objekte të infrastrukturës civile.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota