Kusari-Lila: Rruga e Kosovës drejt BE-së është e pakompromis
G.K/RTKlive
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Web Summit, ku është diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se paneli me temën “Zgjerimi i BE-së: Sa më e madhe, aq më mirë?” është moderuar nga gazetarja polake Dominika Tarczyńska.
“Rruga e Kosovës drejt BE-së është e pakompromis. Historia e Bashkimit Evropian nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka bërë të ditur se pjesë e diskutimit ishte edhe situata në Ukrainë dhe qëndrimi i saj ndaj Kosovës.
“Në panel ritheksova se qëndrimi i Kosovës ndaj Ukrainës dhe popullit të saj bazohet në parimet e lirisë, së drejtës dhe sovranitetit territorial. Prandaj, mbështetja jonë për të drejtën e popullit ukrainas për liri, pavarësi dhe sovranitet mbetet e palëkundur”, ka theksuar ajo.
Sipas Kusari-Lilës, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimi drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian janë hapa thelbësorë në rrugën e integrimit evropian.
“E ardhmja e Kosovës është evropiane”, ka përfunduar Kusari-Lila.























