Haxhiu në Bruksel, në fokus digjitalizimi i parlamenteve dhe integrimi evropian
Sh.Ç/RTKlive
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, udhëton sot drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për të ardhmen digjitale të parlamenteve, ndërsa në agjendë ka edhe takime me drejtues të institucioneve evropiane.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të qëndrojë në Bruksel më 17 dhe 18 nëntor, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin, një forum ndërkombëtar që trajton të ardhmen e institucioneve parlamentare në epokën digjitale.
Konferenca, e organizuar nga Unioni Ndërparlamentar në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, do të mbledhë përfaqësues të parlamenteve nga vende të ndryshme të botës, për të diskutuar mundësitë që ofron teknologjia në zhvillimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit institucional.
Në qendër të diskutimeve do të jetë transformimi digjital i parlamenteve, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në proceset demokratike.
Gjatë vizitës, Haxhiu pritet të zhvillojë takime me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, si dhe me eurodeputetë e zyrtarë të tjerë të lartë.
Përveç agjendës që lidhet me modernizimin e institucioneve parlamentare, në këto takime pritet të trajtohen edhe marrëdhëniet ndërparlamentare, perspektiva evropiane e Kosovës dhe procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Vizita në Bruksel zhvillohet në një kohë kur transformimi digjital dhe avancimi i agjendës evropiane mbeten ndër çështjet me rëndësi për institucionet e Kosovës.























