Kamberi: Presim zgjidhje konkrete nga institucionet e reja të Serbisë
Anamari Repiq| RTK|Beograd
Me dy deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë dyfishuar përfaqësimin e tyre parlamentar. Deputeti i Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, kërkon që ndryshimet politike në Serbi të sjellin edhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, përmes zbatimit të marrëveshjeve dhe planeve të miratuara më herët.
Në një intervistë për RTK-në, ai shprehet i gatshëm për bashkëpunim me shumicën e re parlamentare, megjithëse deri më tani nuk ka pasur bisedime serioze me Listën Studentore.
Pas fitores së Listës Studentore, e cila ka siguruar 140 nga 250 mandatet në Kuvend, Serbia po vazhdon formimin e institucioneve të reja. Në përbërjen e re parlamentare, Koalicioni Shqiptar përfaqësohet nga Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti, mandatet e të cilëve janë verifikuar. Në legjislaturën e kaluar, shqiptarët kishin vetëm një deputet.
Gjatë debatit parlamentar për zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit, Kamberi theksoi se përfaqësuesit shqiptarë nuk kërkojnë poste në pushtet, por përfaqësim të barabartë në institucionet shtetërore dhe zgjidhjen e problemeve të kahershme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai kërkoi zbatimin e Planit shtatëpikësh, të miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, si dhe të dokumenteve që përcaktojnë masat dhe afatet për realizimin e tij.
“Ajo që ka rëndësi për ne, dhe që e kemi theksuar disa herë, është zbatimi i planit strategjik. Kërkesat tona nuk janë të reja. Ato janë miratuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013 dhe, me një dokument tjetër, janë përcaktuar më hollësisht, përfshirë edhe afatet e zbatimit. Bëhet fjalë për planin aksional të vitit 2021”, tha Kamberi.
Ndër kërkesat kryesore janë përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, njohja e diplomave të fituara në Kosovë dhe shtimi i investimeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kamberi kërkon gjithashtu ndalimin e pasivizimit të adresave, përmirësimin e arsimit në gjuhën shqipe, respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zhbllokimin e fondeve që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga institucionet e Kosovës.
Gatishmëri për bashkëpunim, por ende pa bisedime konkrete
Duke folur për RTK-në, Kamberi tha se përfaqësuesit shqiptarë ende nuk kanë pasur kontakte serioze me Listën Studentore për të diskutuar zgjidhjen e këtyre problemeve. Sipas tij, mundësitë për bashkëpunim do të bëhen më të qarta gjatë procesit të formimit të qeverisë së re.
“Kërkesat tona ndaj qeverisë së re janë të qarta. Deri tani nuk kemi pasur ndonjë kontakt serioz nga Lista Studentore, për të parë nëse mund të zhvillojmë bisedime serioze dhe nëse mund të konsiderohemi partnerë në zgjidhjen e këtyre problemeve.”
Megjithatë, Kamberi theksoi se deputetët shqiptarë janë të gatshëm të marrin pjesë në punën e institucioneve dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve që prekin komunitetin e tyre.
“Ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë, të marrim pjesë si listë e pakicës në punën e parlamentit dhe të ofrojmë partneritet për zgjidhjen e këtyre problemeve.”
Ndryshimet politike dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian
Kamberi i vlerëson pozitivisht ndryshimet politike në Serbi, duke kritikuar qeverisjen e mëparshme për korrupsionin, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe ngecjen e procesit të integrimit evropian.
“Në përgjithësi, qëndrimi im ndaj këtyre ndryshimeve është pozitiv, duke pasur parasysh se regjimi i kaluar ishte zhytur në korrupsion dhe në gjithçka të keqe që ka ndodhur dhe po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet e këqija me të gjithë fqinjët, politika e jashtme e paqartë dhe largimi nga rruga evropiane e Serbisë, ky ishte goditja më e rëndë ndaj integrimit evropian.”
Sipas tij, retorika kundër Bashkimit Evropian dhe Perëndimit gjatë qeverisjes së mëparshme ka ndikuar negativisht në orientimin evropian të Serbisë.
“Bashkimi Evropian ishte partneri më i rëndësishëm i Serbisë në politikën e jashtme, por këtu u ndërtua narrativë se BE-ja është armik, se Perëndimi kolektiv është armik. Kjo e dëmtoi edhe vetë procesin e integrimit evropian.”
Dialogu Kosovë–Serbi dhe të drejtat e komuniteteve
Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi pret që ndryshimet politike në Beograd të krijojnë mundësi për rifillimin e dialogut. Sipas tij, përparësi duhet t'u jepet çështjeve konkrete që ndikojnë në jetën e qytetarëve, ndërsa rivendosja e besimit mes palëve mbetet një nga parakushtet për përparim.
“Së pari, mendoj se duhet të ulet topi dhe të bisedohet në baza reale për problemet konkrete që ndikojnë në jetën e njerëzve. Duhet të rindërtohet marrëdhënia e besimit, të cilën Vuçiqi e kishte shkatërruar gjatë këtyre bisedimeve. Të drejtat e shqiptarëve në Preshevë dhe të serbëve në Kosovë janë çështje të ndërlidhura. Nuk mund të trajtohen të drejtat e një komuniteti, ndërsa të drejtat e tjetrit të mos trajtohen fare.”
Kamberi nuk pret domosdoshmërisht një rifillim të menjëhershëm të dialogut, por shpreson që ai të vazhdojë në një atmosferë më konstruktive.
“Pres që dialogu të rifillojë. Ndoshta jo shumë shpejt, por pres që të nisë dhe të zhvillohet në rrjedhat normale, siç pritet nga dy shtete që duan t’i zgjidhin seriozisht problemet që kanë.”
Përfaqësuesi shqiptar në Kuvendin e Serbisë thekson se ndryshimet politike duhet të pasqyrohen edhe në trajtimin e pakicave kombëtare. Sipas tij, përmirësimi i pozitës së shqiptarëve dhe minoritrete tjera nuk mund të kufizohet në emërime politike apo gjeste simbolike, por duhet të mbështetet në zbatimin e obligimeve të mëparshme dhe në masa konkrete që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.






















