Haliti: Projektbuxheti 2027 parasheh mbi 1 miliard euro investime kapitale
Blerim Halimi/RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka shprehur përkrahjen e Grupit Parlamentar të kësaj partie për Projektbuxhetin e vitit 2027, duke vlerësuar se ai kombinon zhvillimin ekonomik me mirëqenien sociale, investimet publike me forcimin e shërbimeve dhe përgjegjësinë fiskale me nevojat e qytetarëve.
Haliti ka thënë se projektbuxheti, në vlerë prej 4 miliardë e 269 milionë eurosh, paraqet përkthimin e programit qeverisës dhe të prioriteteve në vendime konkrete.
“E mbështesim sepse synon të ndërtojë zhvillimin ekonomik me mirëqenien sociale, investimet publike me forcimin e shërbimeve dhe përgjegjësinë fiskale me nevojat konkrete të qytetarëve”, ka deklaruar Haliti.
Sipas tij, të hyrat buxhetore për vitin 2027 planifikohen të jenë 4 miliardë e 2 milionë euro, që paraqet rritje prej 252.9 milionë eurosh në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2026. Ndërkaq, shpenzimet buxhetore planifikohen të rriten për rreth 197.1 milionë euro, apo afërsisht 4.9 për qind.
Haliti ka theksuar se një karakteristikë e këtij buxheti është mbështetja në të hyrat e rregullta të shtetit, pa u bazuar në fondet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe pa planifikuar financim përmes klauzolës së investimeve.
“Ky është një element që meriton vëmendje të veçantë, sepse tregon rëndësinë e zgjerimit të bazës ekonomike dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës për t'i mbledhur këto të hyra”, ka thënë ai.
Duke folur për shpërndarjen e mjeteve, deputeti i LVV-së ka bërë të ditur se nga 53 organizata buxhetore në nivelin qendror, 43 prej tyre kanë rritje të buxhetit për vitin 2027. Ai ka sqaruar se në këtë numër nuk përfshihen disa ministri të cilat janë ndarë si rezultat i krijimit të ministrive të reja.
Mbi 1 miliard euro për investime kapitale
Haliti ka vlerësuar se investimet kapitale janë një prej shtyllave kryesore të projektbuxhetit, pasi për vitin 2027 janë planifikuar mbi 1 miliard e 70 milionë euro.
Megjithatë, ai ka kërkuar nga organizatat buxhetore që të sigurojnë përgatitjen me kohë të projekteve dhe realizimin e tyre në terren.
“Përtej shumave të planifikuara në këtë buxhet, duhet të kujdesemi për realizimin e tyre në terren. Prandaj kërkesa jonë ndaj të gjitha organizatave buxhetore është e qartë: projektet duhet të jenë të përgatitura mirë, procedurat të zhvillohen në kohë dhe mjetet e ndara të shndërrohen në punë konkrete”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka folur edhe për financimin e komunave, për të cilat janë paraparë 908 milionë euro. Sipas tij, kjo shumë dëshmon rëndësinë e nivelit lokal në ofrimin e shërbimeve publike dhe mbështetjen e Qeverisë për komunat.
“Qytetarët duhet ta ndiejnë ndikimin e buxhetit përmes shërbimeve më të mira dhe investimeve konkrete”, ka thënë Haliti.
Rritje e shtesave për fëmijë dhe pagave në sektorin publik
Në pjesën sociale, deputeti i LVV-së ka veçuar rritjen e shtesave për fëmijë për 25 për qind nga janari i vitit 2027. Ai ka thënë se kjo është faza e parë e një procesi gradual që synon dyfishimin e tyre deri në vitin 2030.
Sipas Halitit, planifikimi gradual krijon vazhdimësi dhe siguri për familjet, duke e vendosur fëmijën dhe familjen në qendër të mbështetjes publike.
Projektbuxheti parasheh edhe rritjen e vlerës së koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027.
Haliti ka theksuar se rritja e pagës bazë do të reflektojë edhe përvojën e punës, në masën prej 0.5 për qind për çdo vit të plotë pune. Ai ka përmendur gjithashtu bazën ligjore për sigurimin e mjeteve për pagën e 13-të në sektorin publik.
“Pra, këto masa duhet të lexohen së bashku: rritja e koeficientit, njohja e përvojës së punës dhe paga e 13-të në sektorin publik”, ka thënë ai.
Haliti: Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon
Duke folur për qëndrueshmërinë e financave publike, Haliti ka përmendur projeksionin që borxhi i përgjithshëm publik të jetë rreth 21 për qind e bruto produktit vendor në vitin 2027.
Ai është thirrur edhe në të dhënat e Bankës Botërore për vitin 2025, sipas të cilave borxhi publik i Kosovës ishte rreth 17.1 për qind e BPV-së, krahasuar me mesataren prej 44.4 për qind në Ballkanin Perëndimor.
Kjo, sipas tij, e vendos Kosovën në nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon.
Themelimi i aviokompanisë së Kosovës
Një tjetër çështje që Haliti e ka vlerësuar me rëndësi strategjike është themelimi i një aviokompanie të Kosovës.
Ai ka thënë se projektligji autorizon Qeverinë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për themelimin e saj, qoftë si ndërmarrje publike apo qendrore, qoftë përmes një modeli të partneritetit me kompani ndërkombëtare.
“Kosova ka një diasporë të madhe, ka nevojë për lidhje më të mira ajrore dhe ka potencial për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë”, ka deklaruar Haliti.
Në përmbyllje, ai ka përmendur si prioritete të projektbuxhetit investimet kapitale, financimin e komunave, mbështetjen për bujqësinë dhe bizneset, rritjen e shtesave për fëmijë dhe pagave në sektorin publik, si dhe krijimin e bazës institucionale për aviokompaninë.
Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haliti ka konfirmuar mbështetjen për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027 dhe u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë.






















