Lëshohen patentë-shoferët e parë profesionalë në Kosovë
E.Hoti/RTKlive
Në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur ceremonia e shpërndarjes së patentë-shoferëve të parë profesionalë në Republikën e Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, bashkë me zyrtarë të tjerë institucionalë.
Me këtë rast, Dugolli tha se lëshimi i këtyre dokumenteve shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve dhe përmirësimin e procedurave administrative, duke u mundësuar qytetarëve të certifikohen si drejtues profesionalë.
Ky proces është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, me synim lehtësimin e procedurave dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.
Sipas njoftimit, me lëshimin e patentë-shoferëve profesionalë, krahas atyre të rregullt dhe ndërkombëtarë, Kosova përmbush edhe një standard profesional ndërkombëtar në këtë fushë.
Qytetarët që dëshirojnë të pajisen me këtë dokument duhet të aplikojnë përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pas përfundimit të procedurave, patentë-shoferi profesional personalizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.























