EPP-ja drejt pezullimit të SNS-së së Vuçiqit, një vit afat për reforma ose përjashtim
BKT
Lajme

EPP-ja drejt pezullimit të SNS-së së Vuçiqit, një vit afat për reforma ose përjashtim

D.R./RTKlive

Partia Popullore Evropiane (EPP) ka vendosur të procedojë me pezullimin e anëtarësimit të Partisë Progresive Serbe (SNS), të udhëhequr nga ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të shqetësimeve lidhur me zhvillimet politike në Serbi, raportojnë mediat evropiane dhe ato serbe.

Sipas një raportimi ekskluziv të Euronews, vendimi i udhëheqjes së EPP-së pritet të hidhet në votim në Asamblenë Politike të këtij grupimi, më 7 dhe 8 dhjetor, në Bruksel.

Një anëtar i Presidencës së EPP-së i ka thënë Euronews-it se një shumicë dërrmuese e udhëheqjes e mbështet pezullimin, duke e bërë miratimin e tij të pritshëm.

Nëse Asambleja Politike e miraton propozimin, SNS-ja do të ketë 12 muaj kohë për të përmbushur kushtet e vendosura nga EPP-ja. Në rast të dështimit, partia e Vuçiqit rrezikon përjashtimin e plotë nga ky grupim politik evropian.

Sipas informacioneve të raportuara, kërkesat ndaj SNS-së lidhen me një sërë çështjesh, përfshirë përmirësimin e lirisë së mediave, luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Në mesin e kushteve të përmendura është edhe distancimi nga afërsia politike me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe ndërprerja e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe e trashëgimisë politike të Sllobodan Millosheviqit.

EPP-ja, sipas raportimeve, kërkon gjithashtu që autoritetet serbe të garantojnë respektimin e standardeve demokratike dhe një transferim paqësor të pushtetit.

SNS-ja është anëtare e asociuar e EPP-së që nga viti 2016. Në shtator të vitit 2025, Presidenca e EPP-së kishte njoftuar nisjen e një procesi shqyrtimi të statusit të kësaj partie, pas shqetësimeve të ngritura për zhvillimet politike në Serbi.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk është bërë publike një listë zyrtare e plotë e kushteve që SNS-ja duhet të përmbushë.


MË SHUME NGA Lajme