Nagavci: Votimi për themelimin e Speciales ishte gabim, pasojat po ia shohim sot
BKT
Lajme

Nagavci: Votimi për themelimin e Speciales ishte gabim, pasojat po ia shohim sot

B.H./RTKlive

(E plotësuar, 12:55) Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale gjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhim më të madh institucional e diplomatik për proceset që po zhvillohen në Hagë.

Në kuadër të deklarimeve të grupeve parlamentare jashtë rendit të ditës, Nagavci është ndalur te vizita e fundit e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku ai takoi bashkëshorten, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar.

Ajo i ka cilësuar pamjet nga ky takim si të rënda për t'u parë, duke thënë se ato rikujtuan se pas çdo procesi gjyqësor qëndrojnë njerëz dhe familje që përballen me mungesën e më të dashurve të tyre.

“Pas gjashtë vjetësh në Hagë, ai u kthye në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, gjendja shëndetësore e së cilës është e rënduar. Ky takim familjar u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, nën mbikëqyrje dhe me kohë të kufizuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka rikujtuar se Jakup Krasniqi ishte pjesë e rezistencës kundër regjimit serb, gjatë luftës shërbeu si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësues politik i saj, ndërsa pas luftës vazhdoi angazhimin në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, duke shërbyer si deputet dhe kryetar i Kuvendit.

Nagavci më pas është ndalur te vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 gushtit 2015, kur u votuan ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Dhomave të Specializuara.

Ajo ka rikujtuar se këto ndryshime morën 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim, ndërsa po atë ditë u miratua edhe ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas saj, pas më shumë se një dekade, është e nevojshme të vlerësohen pasojat politike dhe historike të këtij vendimi, por edhe ndikimi i tij në jetën e familjeve të personave që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe duhet ta themi edhe sot: votimi për themelimin e saj ishte gabim. Gabim që po ia shohim pasojat edhe sot”, ka deklaruar ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar e Vetëvendosjes e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin ndaj Jakup Krasniqit, të shpallur më 16 tetor 2026, duke shprehur shqetësime për përfundimet e tij dhe ndikimin që procesi mund të ketë në interpretimin dhe dokumentimin e luftës çlirimtare.

Ajo ka theksuar se Kuvendi duhet të kërkojë drejtësi të plotë, dinjitet dhe respektim të të drejtave të njeriut për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për ata që e kanë mbajtur mbi supe barrën e lirisë së vendit.

“Vendimet që merren këtu nuk janë thjesht procedurale dhe as vendime të çastit. Një vendim mund të merret brenda pak minutash, por pasojat e tij mund të zgjasin me dekada”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se vendimet politike të Kuvendit ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit dhe në mënyrën se si dokumentohet e trajtohet historia e Kosovës.

Nura kërkon unitet dhe mobilizim institucional dhe diplomatik për Gjykatën Speciale

Ndërkaq, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Jakup Nura ka kërkuar mobilizim institucional dhe angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës lidhur me proceset që po zhvillohen në Gjykatën Speciale.

Nura ka thënë se Kosovës, në dekadën e tretë të lirisë, iu imponua një gjykatë për gjykimin e saj dhe të krenarisë së saj, në vend që përgjegjësia për luftërat në ish-Jugosllavi të përqendrohej te Serbia.

Ai ka kërkuar që institucionet e vendit ta kenë këtë çështje ndër prioritetet kryesore dhe që ajo të mos mbetet vetëm temë e deklaratave publike.

Në veçanti, Nura ka kërkuar angazhim më të madh të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me diplomacinë shqiptare.

“Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, t'i shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, ka deklaruar Nura.

Sipas tij, proceset në Hagë nuk janë vetëm çështje e individëve që po përballen me procedurat gjyqësore, por prekin edhe historinë e Kosovës, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës.

Ai ka kërkuar që institucionet të mos mjaftohen me reagime të herëpashershme, por të ndërtojnë një qasje të koordinuar dhe të vazhdueshme.

“Nuk duhet të jemi indiferentë dhe as të kënaqemi vetëm me reagime të herëpashershme. Duhet unitet dhe bashkim institucional, përgjegjësi politike dhe angazhim i mirëfilltë diplomatik. Kjo është një çështje që kërkon përkushtim përtej dallimeve politike, sepse mbi të gjitha kemi përgjegjësi ndaj vendit tonë, historisë dhe së vërtetës”, ka thënë ai.

Nura ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e pranishme në çdo hapësirë ku mund të kontribuohet për të vërtetën dhe të drejtën e saj, duke kërkuar që partnerët ndërkombëtarë të informohen për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje.

Duke folur për vizitën e Jakup Krasniqit në Prishtinë, ai ka thënë se pamjet nga përcjellja e tij nën masa të rrepta sigurie duhet të nxisin një angazhim më serioz për trajtimin e çështjes së personave që po mbahen në Hagë.

Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve të lobit shqiptar që të angazhohen me kontaktet e tyre dhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që çështja e Gjykatës Speciale të trajtohet në vazhdimësi.

“E shfrytëzoj rastin që t'i bëj ftesë gjithë lobit shqiptar që të angazhohet kudo që është, me miqtë e tyre dhe anasjelltas, që çështja e gjykatës të trajtohet me miqtë tanë dhe ta kenë parasysh që Kosova të dalë faqebardhë nga ky proces”, ka përfunduar Nura.

Nis seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës |Live

Ka nisur seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë paraparë për shqyrtim disa projektligje dhe çështje të tjera parlamentare.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.

Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Seanca përfshin edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.


MË SHUME NGA Lajme