Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet KPM-së dhe AIP-së
A.B/RTKLive
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi, në një ceremoni të organizuar në ambientet e KPM-së.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, dhe Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dermaku. Memorandumi ka për qëllim avancimin e standardeve profesionale dhe ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale në raportimin medial.
Përmes këtij bashkëpunimi, dy institucionet synojnë të forcojnë ndërgjegjësimin e mediave dhe gazetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale, duke ruajtur baraspeshën ndërmjet të drejtës në privatësi, lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t'u informuar.
Bashkëpunimi do të përfshijë organizimin e trajnimeve, punëtorive, seminareve dhe aktiviteteve të përbashkëta, si dhe hartimin dhe shpërndarjen e udhëzuesve dhe materialeve informuese për mediat.
Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet mbrojtjes së të dhënave personale të fëmijëve, viktimave dhe personave në situata të cenueshme, interesit publik, publikimit të imazheve dhe regjistrimeve audiovizuale, si dhe konfidencialitetit gazetaresk.
"Ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, promovimit të raportimit të përgjegjshëm, në përputhje me standardet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, në funksion të ngritjes së kapaciteteve profesionale të mediave", njofton KPM.






















