Bllokohen llogaritë e të dyshuarit për mashtrim me donacione, nis kthimi i parave
BKT
Lajme

Bllokohen llogaritë e të dyshuarit për mashtrim me donacione, nis kthimi i parave

G.K|RTKlive

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë bllokuar llogaritë bankare në Kosovë të personit të dyshuar për mashtrim me donacione, i cili dyshohet se kishte mbledhur para duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative, Njësiti i Hetimeve Rajonale ka ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Gjatë hetimeve, sipas Policisë, është dyshuar se personi me inicialet E. A., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kishte trilluar se vuante nga një sëmundje e rëndë.

I dyshuari dyshohet se kishte organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitim shëndetësor, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe.

Pas veprimeve hetimore, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Kosovës janë bllokuar, ndërsa paratë e grumbulluara në to do të mbeten të ngrira deri në një vendim të gjykatës.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ishte arrestuar më 21 nëntor 2026, ndërsa më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe hetimin e rasteve të keqpërdorimit të mundshëm të besimit të tyre.

Tutje, Policia ka theksuar se keqpërdorimi i besimit të qytetarëve nuk duhet të ndikojë në gatishmërinë e tyre për të ndihmuar personat që kanë vërtet nevojë.

“Sepse keqpërdorimi i besimit të individëve nuk duhet të cenojë gatishmërinë për t’i ndihmuar ata që kanë vërtet nevojë për ndihmë”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Lajme