KFOR-i ndërron komandën në Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe
A.B/RTKLive
Sot në mëngjes, në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) në Prishtinë, u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës, gjatë së cilës koloneli Gianfranco Di Fiore ia dorëzoi komandën e Regjimentit kolonelit Steven Chenet. Ceremonia u drejtua nga komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Gjatë kohës sa ishte në detyrë koloneli Di Fiore, Regjimenti i MSU-së kontribuoi në aktivitetet e përditshme të KFOR-it, përmes pranisë së vazhdueshme në terren, realizimit të patrullimeve në këmbë dhe me automjete, si dhe monitorimit të situatës së sigurisë, me fokus të veçantë në veriun e Kosovës.
Njësia gjithashtu promovoi iniciativa në mbështetje të institucioneve dhe komuniteteve lokale, duke kontribuar në ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve.
Përveç kësaj, ajo mori pjesë në aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta trajnuese me njësitë e tjera të KFOR-it, si dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policinë e Kosovës, ku secili veproi në kuadër të përgjegjësive përkatëse si reagues të sigurisë.
Këto aktivitete forcojnë më tej bashkëpunimin, koordinimin operacional, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave të sigurisë.
Gjeneralmajor Vergori theksoi rëndësinë e kontributit të personelit të MSU-së në misionin e NATO-s në Kosovë.
“Ky është thelbi i misionit tonë: t'i shërbejmë dhe t'i mbrojmë qytetarët e Kosovës, pa dallim dhe me paanshmëri të plotë. Respekti nuk kërkohet kurrë, por fitohet përmes profesionalizmit, përkushtimit, disiplinës dhe besueshmërisë.
Besueshmëria nuk është diçka që thjesht pretendojmë se e kemi; ajo fitohet përmes veprimeve, vendimeve dhe mënyrës se si i përmbushim përgjegjësitë tona çdo ditë.
Puna juaj e përditshme dëshmon se, kur kemi një qëllim dhe vendosmëri të përbashkët, mund të bëjmë vërtet ndryshimin si një ekip i vetëm, duke ecur përpara së bashku.
Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj i japin jetë vlerave të misionit tonë. Ju nuk flisni vetëm për misionin tonë, por e përfaqësoni atë përmes veprimeve tuaja dhe mënyrës se si siguroni një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes.
Së bashku, ne jo vetëm që po bëjmë ndryshimin sot, por po ndihmojmë edhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të ndritur dhe me më shumë shpresë për brezat që vijnë”, tha Vergori.
"Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU), e përbërë kryesisht nga pjesëtarë të Karabinierëve italianë dhe e plotësuar me pjesëtarë të forcave të policisë ushtarake nga vende të tjera, i ofron KFOR-it kapacitete të specializuara, veçanërisht në fushën e menaxhimit të rendit publik dhe kontrollit të turmave dhe trazirave (CRC). MSU-ja kontribuon kështu në zbatimin e mandatit afatgjatë të KFOR-it, të përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)", njofton KFOR.






















