Konjufca takon homologët nga Greqia dhe Hungaria
V.Th / RTKLive
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar takime në Athinë me ministrin e Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis, dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme të Hungarisë, Anita Orbán.
Në takimin me homologun grek, Konjufca ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit politik e ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Ai ka vlerësuar përkrahjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me rëndësi për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe fqinjësinë e mirë në rajon. Konjufca e ka ftuar Gerapetritisin që takimin e ardhshëm ta vazhdojnë në Kosovë.
Ndërkaq, në takimin me zëvendëskryeministren hungareze, Anita Orbán, në fokus të diskutimeve ishte integrimi evropian i Kosovës dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe.
Konjufca ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Hungarisë për avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe ka vlerësuar kontributin e këtij shteti për sigurinë në rajon.
Ai ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve.






















