Shqipëria mohon përfshirjen në sulmin me dron ndaj anijes ruse në Libi
N.M. /RTKlive
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar sot lidhur me raportimet se sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Në reagim thuhet se këto raportime janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Ministria thekson se Shqipëria nuk është përfshirë në këtë incident dhe se territori i saj nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke theksuar se janë paraqitur pa prova të verifikueshme.
"Shqipëria nuk u përfshi në këtë incident, dhe territori i saj as nuk u përdor dhe as nuk u vu në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë", thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Ministria u ka bërë thirrje përgjegjësve për publikimin e tyre që t'i korrigjojnë raportimet dhe të tregojnë saktësi e përgjegjësi në trajtimin e çështjeve të tilla.






















