Specialja konfirmon kthimin e Jakup Krasniqit në Hagë
Sh.Ç/RTKlive
Jakup Krasniqi është kthyer në qendrën e paraburgimit në Hagë, pas përfundimit të vizitës në Kosovë, e cila ishte lejuar nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Speciale përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, ku bëhet e ditur se ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë është kthyer në Hagë.
Në njoftim, Gjykata ka theksuar se vendimi për lejimin e vizitës ishte marrë për shkak të rrethanave të veçanta humanitare.
“Jakup Krasniqi u kthye sot në Hagë pas vizitës së urdhëruar nga Trupi Gjykues për arsye humanitare bindëse”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gjykata ka bërë të ditur gjithashtu se vizita e Krasniqit është pjesë e praktikës së deritanishme të vizitave humanitare të të paraburgosurve në Kosovë.
“Kjo ishte vizita e pesëmbëdhjetë nga një i paraburgosur në Kosovë deri më sot, e urdhëruar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e organizuar nga gjykata”, thuhet më tej në njoftim.
Vizita e Krasniqit në Kosovë ishte bërë e ditur ditëve të fundit, ndërsa arsyeja lidhej me gjendjen jo të mirë shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Krasniqi po mbahet në paraburgim në Hagë, ku po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.






















