Krasniqi përfundon vizitën në Kosovë, kthehet në Hagë|Video
BKT
Lajme

Krasniqi përfundon vizitën në Kosovë, kthehet në Hagë|Video

Fatos Cëvadiku|RTK

Është përmbyllur vizita e lejuar e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë. Pas katër ditësh të kaluara pranë familjes, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes, Krasniqi do të kthehet në Hagë. Ai u largua nga shtëpia mes lotësh dhe përqafimesh. Gjatë qëndrimit katërditor në Kosovë, u përcoll me masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Si tri ditët e kaluara, edhe mëngjesi i kësaj të shtune riktheu vëmendjen në lagjen Velania.

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, nën praninë e shtuar të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, nisi ditën e katërt të vizitës në shtëpinë e tij, pranë familjes.

Nga ballkoni, ardhjen e tij e pritën edhe familjarët e tjerë, të cilët, për tri ditë me radhë, nuk kishin pasur mundësi ta takonin.

Koha kalonte më shpejt se ditët e tjera.

Me afrimin e mesditës, nisën të grumbulloheshin edhe familjarët e tjerë.

Ora 12:00 po afrohej, ndërsa veturat e EULEX-it u afruan pranë shtëpisë së Krasniqit.

Mes emocionesh dhe përqafimesh, Krasniqi doli nga shtëpia, i përcjellë nga familjarët.

Për të pranishmit që nuk pati mundësi t'i takonte nga afër, ai dha një përshëndetje. Edhe familjarët, nga distanca, nuk i kursyen përshëndetjet.

Pas kësaj, Krasniqi u nis nga shtëpia e tij, për të udhëtuar drejt Hagës.

Vizita e Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit, përfundoi. Nën masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, ai u largua nga shtëpia e tij në Velani, ku për katër ditë u çmall me familjarët e tij.

Pas largimit të Jakup Krasniqit, vëllezërit e tij shkuan në shtëpinë e tij, ku deri në mesditë nuk kishin mundur të hynin.

Kjo ishte vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë, që nga dërgimi i tij në Hagë, më 4 nëntor 2020.


MË SHUME NGA Lajme