Buteli nuk e zbaton gjuhën shqipe, Inspektorati kërkon korrigjimin e tabelës|Video
Besnik Iseni|RTK
Në komunën e Butelit në Shkup është promovuar një park i qytetit, ku tabela në hyrje të tij është shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Inspektorati për përdorimin e gjuhëve ka reaguar duke shtuar se me mosvendosjen e gjuhës shqipe në tabelë, është shkelur Ligji i Gjuhëve dhe për këtë arsye i kanë dhënë vërejtje komunës që në afat prej 30 ditësh ta korrigjoj tabelën.
Ndonëse gjuha shqipe ka status zyrtar në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë, ajo nuk po zbatohet në Komunën e Butelit, në Shkup. Pavarësisht reagimeve të këshilltarëve shqiptarë të kësaj komune, aty është promovuar një park i qytetit, në hyrje të të cilit tabela është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase.
"Mosrespektimi vërehet në tabelat e rrugëve, në ueb-faqen e komunës, vulat zyrtare dhe dokumentacionet. Rasti i fundit është promovimi i megaparkut, ku tabela u vendos vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse shqiptarët përbëjnë rreth 50 për qind të popullsisë së komunës. Ne këtë çështje e kemi ngritur edhe në seancën e fundit, por u mbivotuam nga këshilltarët maqedonas", tha Armend Murseli, këshilltar komunal në Komunën e Butelit.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar lidhur me vendosjen e një tabele vetëm në gjuhën maqedonase në një park të Komunës së Butelit. Sipas Inspektoratit, mosvendosja e gjuhës shqipe në tabelën e parkut përbën shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Për këtë arsye, komunës i është dhënë vërejtje që, brenda afatit prej 30 ditësh, ta korrigjojë tabelën.
"Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Butel nuk mund të shpjegohet me pjesën e kriterit ligjor që është pragu prej 20 për qind, sepse, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, aty jetojnë 37 për qind shqiptarë. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka pranuar dy iniciativa për çështjen në fjalë, më datë 4 dhe 12 nëntor 2026, dhe menjëherë kam dhënë urdhër për inspektimin e gjendjes faktike. Procedurat vazhdojnë edhe sot që po flasim", thjeksoi Arsim Idrizi, drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve në RMV.
Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve bëjnë të ditur se realizojnë rreth 200 inspektime në vit në institucionet qendrore dhe lokale, me qëllim të verifikimit të zbatimit të përdorimit të gjuhëve në praktikë.






















